Një stuhi e fuqishme, e shoqëruar me reshje intensive shiu dhe breshëri të madhësisë së pazakontë ka goditur pasditën e sotme fshatrat Tregan dhe Bathës në Qarkun e Elbasanit duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në sektorin bujqësor dhe pemëtarinë e zonës.
Sipas banorëve stuhia ka nisur papritur rreth mesditës dhe ka zgjatur për afro një orë duke lënë pas një panoramë të rëndë shkatërrimi në arat dhe fermat e shumta të zonës.
Breshëri me intensitet të lartë dhe madhësi të krahasueshme me kokrrat e lajthisë ka goditur në mënyrë të drejtpërdrejtë kulturat e mbjella të pranverëssi edhe pemët frutore që ndodhen në fazën e zhvillimit më të ndjeshëm.
Fshatrat Tregan dhe Bathës janë të njohura për kultivimin e ullirit, qershisë, portokallit dhe rrushit ,kultura këto që përbëjnë një burim të rëndësishëm të ardhurash për familjet fermere të zonës.Fermerët janë shprehur të dëshpëruar nga dëmet e mëdha të shkaktuara.
Në shumë prej parcelave me pemtari dhe vreshtari , gjethet dhe frutat janë dëmtuar ose janë shkulur tërësisht nga degët, ndërsa disa rrënjë janë dëmtuar në mënyrë të parikuperueshme. Breshëri ka dëmtuar gjithashtu infrastrukturën bujqësore, përfshirë sistemet e ujitjes dhe rrjetet mbrojtëse të serrave.“Na u shkatërrua gjithçka për pak minuta. Pema e qershisë mezi po merrte veten nga të ftohtit e dimrit, tani na i rrëzoi të gjitha kokrrat në tokë,” – tha një prej banorëve të zonës, i cili prej vitesh merret me kultivimin e pemëve frutore.
Të tjerë fermerë shprehen se dëmet financiare janë të pallogaritshme për momentin, ndërkohë që kërkojnë ndihmë dhe ndërhyrje emergjente nga strukturat shtetërore për vlerësimin e dëmeve dhe mundësinë e kompensimit.
Stuhitë me breshër janë gjithnjë e më të shpeshta në këtë periudhë të vitit, por sipas banorëve dhe specialistëve të bujqësisë, kjo ishte një nga më të fuqishmet e viteve të fundit.
Ekspertët paralajmërojnë se për shkak të ndryshimeve klimatike, raste të tilla ekstreme pritet të shtohen, duke rritur rrezikun për prodhimet bujqësore dhe ekonominë lokale.Autoritetet vendore ende nuk kanë dhënë një deklaratë zyrtare mbi shkallën e dëmit apo masat që do të ndërmerren.
Ndërkohë, banorët shpresojnë në ndihmë urgjente për të zbutur pasojat ekonomike që kjo fatkeqësi natyrore pritet të lërë pas.
Ky episod shërben si një thirrje alarmi për nevojën urgjente të forcimit të sistemit të mbrojtjes civile dhe zbatimit të masave parandaluese në bujqësi, për të përballuar më mirë pasojat e fenomeneve ekstreme natyrore që po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në klimën shqiptare.Në Qarkun e Elbasanit gjatë kësaj fillim
Pranvere stuhitë dhe mbizotërimi i motit të keq kanë shkaktuar dëme të mëdha sidomos në pemtari.