Komisioni i Disiplinës në 2023-shin mori sërë vendimesh të forta ndaj Tiranës, të ngjashme me ato të Egnatias, duke goditur rëndë klubin bardheblu me pezullime të gjata dhe gjoba pas incidenteve në sfidën me Bylisin.
Pas asaj ndeshje do të luhej finalja e Kupës me Egnatian ku Tirana u paraqit me skuadrën e dytë dhe rrogozhinasit fituan, duke marrë trofeun e parë në historinë e tyre. Dënimi më i rëndë u dha për portierin Visar Bekaj, i cili për nxitje të urrejtjes dhe akteve të dhunës u pezullua për 12 muaj nga të gjitha aktivitetet, si dhe u gjobit me 100 mijë lekë.
Edhe më i ashpër është vendimi për Besir Isenin, i cili për pështymje ndaj zyrtarëve të ndeshjes u dënua me 24 muaj pezullim. Ndërkohë, disa lojtarë të tjerë të Tiranës u ndëshkuan për sjellje josportive ndaj arbitrave. Albano Aleksi, Aldi Gjumsi dhe Bruno Lulaj u pezulluan secili me nga 6 ndeshje, ndërsa Florent Hasani u dënua me 4 ndeshje pezullim. Dënimet nuk kanë kursyer as stafin e klubit. Zyrtarët Arzen Vocaj, Kostandinos Jani dhe Marvi Kastrati u pezulluan me nga 8 ndeshje secili për sjellje josportive.