Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, ka reaguar pas tensioneve të shënuara gjatë protestës së opozitës, duke dënuar aktet e dhunës dhe duke theksuar se e drejta për të protestuar është cenuar nga një grup personash që, sipas saj, zgjodhën forcën në vend të fjalës.
Në deklaratën e saj, Koçiu u shpreh se për herë të disatë protesta u shoqërua me dhunë ndaj efektivëve të policisë.
“E drejta për të protestuar, për të disatën herë, u dhunua nga një grup që zgjodhi forcën në vend të fjalës, duke sulmuar, dhunuar e lënduar punonjësit e Policisë së Shteti. Dhuna nuk mund të jetë kurrë një mjet dhe asnjë lloj agjende nuk e justifikon përdorimin e saj. Mirënjohje për çdo punonjës policie që tregoi profesionalizëm dhe maturi përballë çdo provokimi. Policia do të jetë gjithmonë në krye të detyrës për të garantuar të drejtën për të protestuar, si dhe të garantojë sigurinë e çdo qytetari dhe të pronës publike dhe të qytetarëve“, shkruan ajo.