Dy persona të maskuar më 25 dhjetor të vitit që lamë pas, rreth orës 02:30, u futën në zyrat e kompanisë telefonike “One” në zonën e Laprakës në kryeqytet. Sipas asaj që mediat raportuan, me leva në duar ata shkatërruan disa kompjutera.
Edhe pse ngjarja kishte ndodhur disa muaj më parë, sot është zbardhur dëshmia e rojeve private të kompanisë “ONE”.
Para oficerëve të Komisariatit nr.3 në Tiranë, ata kanë dëshmuar për vjedhjen e ndodhur më 25 dhjetor 2024.
“Nuk donin t’i prishnim reputacionin kompanisë, prandaj nuk e denoncuam vjedhjen”, – kanë deklaruar përgjegjësit për ruajtjen e objektit.
Policia e Tiranës ka nisur një procedimi penal për veprën “Moskallëzimi i krimit” ndaj 5 rojeve:
• drejtuesit teknik dhe 4 punonjësve të grupit të shoqërisë private të sigurisë fizike që kishte në ruajtje ambientet e kompanisë, shtetasve Alfred Zylala, 54 vjeç, Gëzim Sala, 40 vjeç, Koço Veneti, 63 vjeç, Myzafer Dinoshi, 55 vjeç; dhe Ismet Tartari, 62 vjeç
Ora News shkruan se dy personat e maskuar kanë hyrë brenda kompanisë “ONE” dhe janë ngjitur në katin e 3-të të saj.
Nga kamerat e sigurisë janë pikasur se dy të paidentifikuarit janë futur në dy salla mbledhjesh, të cilat ndodhën po në atë kat ku kanë qëndruar disa minuta dhe pas kanë dalë prej saj. Policia ka nisur me gjurmimin gjatë rrugës kryesore, por duke qenë se ngjarja ka ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar shumë prej kamerave të sigurisë nuk janë funksionale, për shkak se nuk kanë regjistruar pamje.
Nga fotoja e siguruar nga kamerat e sigurisë shihet se dy autorët. Të cilët ende nuk janë identifikuar, kanë qenë të maskuar me maska, doreza, ndërsa njëri prej tyre mbante në duar edhe një levë.
Kjo ngjarje ka ndodhur pikërisht në kulmin e zhvillimeve që vinin nga Prokuroria e Posaçme, ku në kushtet kur kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i vëllai i tij Arbër Veliaj dhe vetë kompania “One” po hetohen për afera.
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po heton marrëdhëniet mes kompanisë “One Communication” dhe “Gogel”, e cila drejtohet nga Arbër Veliaj. Në qendër të hetimeve janë dyshimet për favorizime apo ushtrim të ndikimit të paligjshëm nga ana e Veliajt për të siguruar kontrata.
Sipas dokumenteve hetimore, kompania “One” paguan Arbër Veliajn për marketing dhe promovim, ndërkohë që fiton tendera (pa garë) në Bashkinë e Tiranës, e drejtuar nga vëllai i madh i familjes Veliaj, Erioni. SPAK ka zbuluar se një kompani sigurimi dhe “One Communication” kanë pasur marrëdhënie kontraktuale me “Gogel” në vlerë prej 5 milionë eurosh.
“Nga hetimi rezulton se klienti kryesor i ‘Gogel shpk’ është shoqëria ‘One Albania’, me një total shitjesh prej 551.639.924 lekë të reja”, thuhet në vendimin e gjykatës për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për Erion Veliaj.