Sport

Sulmuesi Rushiti: Vora në formë të shkëlqyer, me Erzenin nuk diskutohen tri pikët

Vora ka përpara dy përballje me Erzenin. Këtë fundjavë do të luajnë ndeshjen e fundit të fazës së dytë, ndërsa me shijakasit do të niset edhe faza e tretë e kampionatit. Duele të lehta në letër për vetë renditjen, por vorakët nuk kërkojnë që të diskutojnë ngjitjen në Superiore si edhe synimi i klubit është shpallja kampion në Kategorinë e Parë.

Një nga lojtarët që pritet të aktivizohet si titullar në takimin kundër Erzenit është sulmuesi 21-vjeçar, Xheis Rushiti, që për “Panorama Sport” shprehet: “Vora është në formë dhe në çdo ndeshje luajmë për fitore. Kjo do të jetë një ndeshje vendimtare për kalendarin e fazës së tretë dhe ne kërkojmë ta mbyllim të parët. E për të qenë të parët duhet të fitojmë takimin kundër Erzenit. Sigurisht që është një ndeshje e rëndësishme dhe shpresojmë të bëjmë më të mirën, duke marrë tri pikët. Për këtë duhet të menaxhojmë energjitë për tu paraqitur sa më mirë.

Një fitore kundër shijakasve do të thotë që ne të ruajmë pozitat e para dhe kemi përparësitë tona nga kalendari i fazës së tretë. Vora është mirë si fizikisht edhe psikologjikisht pasi nuk ka emocione dhe jemi më të favorizuar sepse luajmë përpara tifozëve tanë. Është një ndeshje që vlen tri pikë, duhet të jetojmë me momentin”, mbyll Rushiti.