Politikë

Takimi i demokratëve ‘trazon’ PD-në, Salianji dhe Alimehmeti përlasen me Bardhin; sinjalizojnë lëvizjen e re!

‘Tymi’ i një lëvizje të re brenda Partisë Demokratike, tashmë është i dukshëm edhe nga larg. Një takim në dukje i thjeshtë dhe i vogël ka shkaktuar ‘tëmet’ brenda PD-së. Pavarësisht se drejtues të lartë të PD-së u munduan që ta minimizojnë këtë takim duke e quajtur atë thejsht një kafe mes miqësh, gjërat shpërthyen në ‘prime time’.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, gjatë një interviste televizive deklaroi se takimi i organizuar nga Ervin Salianji, nuk ishte asgjë serioze, por thjesht një takim për kafe mes demokratësh.

“Unë besoj se kemi ardhur për bisedë serioz jo për të komentuar kafet që pinë kolegët çdo ditë. Secili prej nesh kur takohet me koleg, ka dhe biseda të caktuara. Salianji është anëtar i kryesisë ka të gjithë shansin për të diskutuar në kryesi. Alimemeti është drejtues i departamentit të shëndetësisë në PD… Fokusi duhet të jetë te skandalet e qeverisë. Të bësh një lajm se kolegët pinë kafe nuk e di, ne te kafja e PD jemi çdo ditë”, tha Bardhi, për ‘Opinion’

Por tentativa e Bardhit për të përdorur ‘Prime time’-in, për të minimizuar këtë nismë të re brenda PD-së, u rrëzua nga vetë organizatori i këtij takimi, Ervin Salianji. Në mesazhin e dërguar drejtuesit të emisionit, ‘Opinion’, Salianji theksoi se vet fakti që ky takim përbën lajm, tregon dëshirën e demokratëve për një analizë brenda PD. Një deklaratë kjo e cila hodhi poshtë retorikën e Bardhit dhe dha sinjal të qartë se ka një ‘zgjim’ brenda PD-së.

“Nuk besoj se ta sqaroj dot vetëm me një sms. Por do të vij tek ju dhe do të flas, takimi dhe takimet unë i bëj përherë sepse në politikë vota përcakton hierarkinë dhe peshën dhe çdo mekanizëm tjetër hileqar nuk rrit dot. Partia Demokratike ka nevojë për ripërtëritje dhe vlerësim të meritës, këto i kam thënë në studion tuaj dhe kudo. Fakti që takimi i individëve më të votuar bën lajm tregon urinë e qytetarëve dhe demokratëve për vlerësim dhe analizë reale të problemeve që kemi ne. Unë dëgjoj çdo demokrat dhe jo më demokratë që të gjithë që ishim në kafe kanë mbledhur më shumë se 200 000 vota për PD. Shkurt të shkrova sepse dhe tani unë prapë me demokratë jam. Të përshëndes nga Durrësi me dy kryetaret e fundit të zgjedhur me votë në degën Durrës, dy nënkryetaret, sekretarin dhe sekretarin organizativ. Ju përshëndes”, shkroi Salianji.

Bardhi mori përgjigje edhe nga Iliri Alimehmeti i cili ishte pjesë e këtij takimi. Alimehmeti deklaroi se ky takim erdhi si pasojë e mungesës së hapësirës brenda PD-së, për të diskutuar për problemet që ka partia dhe analizuar gabimet e së shkuarës. Sa i takon deklaratës së Bardhit se takimi ishte thjesht kafe, Alimehmeti e injoroi duke thënë se nuk komenton postimet nëpër ‘facebook’.

“Të them të drejtën dhe unë statuseve në FB nuk komentoj, po të donte të na thërriste Këshilli Kombëtar do shkoja, pra mundësia për të fol nuk ka qenë. Lënia pa diskutuar e demokratëve sjellin situata si këto, që kemi një qeveri të kalbur që nuk hidhet dot në tokë, dhe një opozitë që nuk sjell dot njerëz. Pse arritëm në mbledhjen e kësaj tryeze? Kjo pyetje u duhet bërë atyre. Ata nuk e kanë bërë dhe i kanë larguar njerëzit, ne thjeshtë vazhdojmë punën, të kuptojmë ku jemi dhe ku janë problematikat”, tha ai për ‘Top Story’.

Gjërat nuk janë ende të qarta, por një gjë është e sigurt; mbi selinë e ‘PD’ shihet ‘tym’, është ky ‘tymi’ i një ‘pishtari’ shprese për ringritjen e opozitës, apo i një zjarri që do ta ‘shkrumbojë’ atë një herë e përgjithmonë, kjo mbetet për tu parë./Pamfleti