Një episod i turpshëm është transmetuar mbrëmjen e djeshme në emisionin sportiv “Super Gol” të televizionit publik shqiptar, ku drejtuesja Hygerta Sako dhe të ftuarit e saj përqeshën futbollistin afrikan të Burrelit, Arnold Kwaku Siaw, gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë pas ndeshjes Burreli–Pogradeci (2-0).
Gjatë intervistës live, për shkak të një problemi teknik me figurën, portreti i lojtarit nuk shihej qartë në ekran. Në vend që situata të menaxhohej në mënyrë profesionale, ajo u kthye në objekt talljeje: drejtuesja dhe panelistët Ardi Behari, Gert Haxhiu dhe Klajdi Kola shpërthyen në të qeshura, ndërsa Haxhiu e thelloi më tej momentin me një koment me nuanca raciste:
“Faleminderit RTSH-së që në momentet e fundit na e zbuloi, sepse dukej si rrëfimet e atyre njerëzve që nuk duan të flasin.”
Sako tentoi të shmangte situatën e sikletshme duke fajësuar “LED-in e RTSH-së” për cilësinë e dobët të pamjes, por momenti tashmë ishte bërë viral në rrjetet sociale.
Për incidentin reagoi ashpër klubi i Burrelit, i cili e cilësoi sjelljen në studio si “akt të turpshëm bullizmi dhe me nuanca raciste”. Në deklaratën zyrtare të shpërndarë në Instagram, klubi thekson:
“Një gjuhë e tillë, pavarësisht nëse maskohet si ‘shaka’, nuk ka vend as në sport dhe as në shoqërinë tonë.”
Në të njëjtën kohë, klubi doli në mbrojtje të futbollistit, duke e quajtur Siaw-in “pjesë të familjes së Burrelit” dhe duke vlerësuar përkushtimin dhe profesionalizmin e tij që i kanë fituar respektin e tifozëve.
Edhe trajneri i skuadrës, Samuel Nikaj, reagoi me një mesazh të fortë:
“Disa humbasin gjithçka për të ruajtur dinjitetin. Të tjerë fitojnë gjithçka, por e shesin shpirtin për një vend në tavolinë.”
Në përfundim, klubi kërkoi që RTSH dhe drejtuesit e emisionit të marrin përgjegjësinë për ngjarjen dhe të kërkojnë falje publike ndaj lojtarit dhe skuadrës së Burrelit.