Aktualitet

Të gjithë mobilizohen pas konfliktit në Iran, në Shqipëri repartet ushtarake i menaxhon Gjergj Luca

Ndërsa vendet e rajonit mobilizohen për shkak të tensioneve me Iranin, në Shqipëri disa ish-reparte ushtarake dhe prona të Rezervave të Shtetit janë dhënë për 1 euro biznesmenit Gjergj Luca dhe sot përdoren për aktivitete të industrisë së peshkut.

Përshkallëzimi i situatës rreth Iranit, operacioni i përbashkët ushtarak SHBA-Izrael, vdekja e raportuar e Udhëheqësit Suprem Ajatollah Ali Khamenei dhe sulmet hakmarrëse të Iranit në disa pjesë të Lindjes së Mesme kanë vënë në lëvizje shumë shtete. Franca, Gjermania, etj., kanë marrë masa menjëherë, teksa ka nisur mobilizimi edhe në rajon.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis thirri një mbledhje urgjente të këshillit të sigurisë kombëtare, duke përmendur afërsinë rajonale dhe praninë e një baze amerikane në Souda, Kretë. Po ashtu edhe Bullgaria mblodhi Këshillin e Sigurisë dhe ka vënë në lëvizje strukturat ushtarake.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç paralajmëroi se konflikti ishte “përgatitur prej kohësh” dhe nuk do të përfundonte shpejt. Ai njoftoi plane për të forcuar aftësitë e mbrojtjes ajrore të Serbisë, duke ruajtur njëkohësisht paqen.

Por teksa gjithë rajoni është mobilizuar, i vetmi shtet që nuk e vë “ujin në zjarr” është Shqipëria. Për më tepër që vendi ynë është shpallur shtet armik nga Teherani, për shkak të mbylljes së ambasadës dhe kampit të MEK.

Në kontrast me shtetet e rajonit që kanë arsenale ushtarake, baza dhe reparte, në Shqipëri të gjitha repartet ushtarake i ka marrë në dorë Gjergj Luca. Edhe pse në raste krizash ato mund të përdoreshin fare mirë, tani shërbejnë për të mbajtur peshk.

Edi Rama i ka dhënë 72 mijë m2 tunele dhe 148 mijë m2 troje e ndërtesa të Rezervave të Shtetit në Elbasan, repart ushtarak në Gramsh, parkun e minierës në Prrenjas dhe ish-fabrikën e Sheqerit në Maliq, si dhe i janë bërë gati depot e rezervave në Fier e një repart ushtarak në Vlorë. Të gjitha për 1 euro. Më konkretisht:

-Me VKM Nr. 266, datë 29.03.2017, Gjergj Luca është përfitues i pasurisë “Objekte dhe truall, të Agjencisë së Rezervave Materiale të Shtetit Labinot, Elbasan (pjesa e mbetur)”, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave të Shtetit, Drejtorisë Rajonale të Rezervave të Shtetit Elbasan, me sipërfaqe të përgjithshme 52 514 (pesëdhjetë e dy mijë e pesëqind e katërmbëdhjetë) m2, nga e cila 11 659.63 (njëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e nëntë pikë gjashtëdhjetë e tre) m2 sipërfaqe e objekteve dhe 40 854.37 (dyzet mijë e tetëqind e pesëdhjetë e katër pikë tridhjetë e shtatë) m2 sipërfaqe funksionale.

-Me VKM nr. 526, datë 25.07.2019, Gjergj Luca është përfitues i pasurisë prona nr. 338, me emërtim “Ish-Reparti Ushtarak nr. 5012/20”, me vendndodhje në Çekrez, Gramsh, me sipërfaqe të përgjithshme 28 960 m², nga ku sipërfaqe ndërtimore 4185.48 m2 dhe sipërfaqe funksionale 24 774.52 m2, me nr. pasurie 257/1, zk 2167, në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes, për një periudhë 20 vjet.

-Me VKM Nr. 376, datë 21.06.2023, Gjergj Luca është përfitues i pasurisë Prona Nr. 338, me emërtimin “Ish-Reparti Ushtarak Nr. 5012/20”, me vendndodhje në Çekrez, Gramsh, në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes, dhënë me qira me tarifën 1 Euro/Kontrata shoqërisë “Rozafa” Shpk. /Pamfleti