Adriana Kalaja, e cila garon për Avokate e Popullit, ndërsa është tërhequr si kryetare e Gjykatës së PD-së, pozicion që e mbante prej 3 vitesh, ka deklaruar se nuk do t’i bashkohet protestës së thirrur nga demokratët pasditen e 17 nëntorit.
Kalaja shprehet se nuk mund të shkojë në një protestë, ku të hënën qytetarët thirren për të rrëzuar Edi Ramën, ndërsa të martën organizatorët ulen në tryezë me përfaqësuesit e Kryeministrit për reformën territoriale dhe atë zgjedhore.
“Nuk do të shkoj në protestë. Ndahem me PD sepse nuk mund të shkosh në protestë në orën 18:00 dhe të nesërmen të ulesh me mazhorancën për Reformën Zgjedhore apo Territoriale”, tha Kalaja, në studion e Neës24.
Ndërkohë ajo foli edhe për hipokrizinë që ka përfshirë Partinë Demokratike, veçanërisht sa i takon garës për Avokatin e Popullit.
“Nga informacionet që kam mendoj se ka hipokrizi, sepse edhe ligji nuk ia ndalon një deputeti të vërë disa firma. Moralisht mendoj unë një njeri ose duhet të mbështesë Adriana Kalanë ose të thotë nuk të mbështes ty por Endri Shabanin. Për mua është amorale që deputetët e PD që deri dje e akuzonin si sorosistë, që thonin Rama i mori 83 mandate edhe prej Endri Shabanit, tani nuk vlerësojnë këtë që ka punuar, e pëlqen apo jo zonjën Kalaja.
Madje unë kam 3 vite e gjysmë që bëj luftë të ashpër brenda PD për këto probleme që unë ngre. Është më e ndershme që Berisha të thotë jo ti e ke gabim. Kam bërë luftë për parime. Kam ngritur shqetësime si askush më parë”, tha ajo.