Kronikë

Të rinjtë vranë 67-vjeçarin për 250 €: Duhet ta trembnim

Dy të rinjtë që shfaqen në foton e publikuar janë Gerti Bushati dhe Ergys Ibrahimi dy nga katër autorët e dyshuar të vrasjes së 67-vjeçarit Hysni Ymeri në Shkodër, një ngjarje që tronditi opinionin publik jo vetëm për brutalitetin, por edhe për motivin e ftohtë dhe banal që fshihet pas saj.

Sipas hetimeve, jeta e një njeriu u shua nga një shpërthim i qëllimshëm i vendosur pranë një kabine elektrike. Lënda plasëse u vendos nga Gerti Bushati, i cili, i maskuar me kombinoshe dhe kapuç, kreu aktin dhe më pas tentoi të zhdukte gjurmët duke hedhur rrobat në një lum.

Hetimet tregojnë se shpërthimi është aktivizuar në distancë, dyshohet nga Edison Hasaj, ndërsa sot në gjykatë Bushati ka pranuar autorësinë e vendosjes së eksplozivit, duke pretenduar se tre “kolegët” i kanë thënë se nuk do ta vrisnin por do ta trembnin.”Kur kam mësuar se ka vdekur shtetasi Hysni Ymeri jam tmerruar. Nuk kam patur dijeni për vrasje, vetëm për të trembur dikë. Shtetasit Gjergj Zefi, Edison Hasaj dhe Ergys Ibrahimi më kanë kontaktuar për këtë punë dhe e kam pranuar. Tritolin e kam vënë me datë 27 dhjetor por pa e ditur se bëhej fjalë për vrasje”, tha ai.

Të tjerët, Edison Hasaj, Ergys Ibrahimi dhe Gjergj Zefi kanë mohuar përfshirjen, duke zgjedhur heshtjen përballë një vrasjeje që flet vetë.

Ajo që e bën këtë ngjarje edhe më të rëndë është motivi: jo hakmarrje, jo konflikt i hapur, por para. Vetëm 1 mijë euro gjithsej, të ndara në katër pjesë, 250 euro për secilin. Një shumë qesharake, që nxjerr në pah sa pak ka vlejtur jeta e një njeriu për autorët dhe sa thellë ka rënë morali shoqëror kur vrasja kthehet në “punë me pagesë”.

Ky nuk është thjesht një krim individual. Është një alarm për shoqërinë, për normalizimin e dhunës, për rekrutimin e të rinjve në krime të rënda pa asnjë arsye njerëzore. Një 67-vjeçar humbi jetën, familja e tij humbi gjithçka, ndërsa autorët fituan vetëm disa euro dhe një të ardhme të shkatërruar.

Drejtësia tani ka fjalën e saj. Por pyetja më e madhe mbetet, çfarë po prodhon një shoqëri ku jeta e njeriut vlen më pak se një pagesë mujore?