Politikë

Të tjera ndryshime, Edi Rama prezanton drejtorin e ri të IKMT-së (Emri)

Të tjera ndryshime, Edi Rama prezanton drejtorin e ri të IKMT-së (Emri)

Kryeministri Edi Rama ka emëruar Afrim Qëndron në krye të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) duke i besuar atij drejtimin e një prej institucioneve kyçe në fushën e kontrollit të territorit. Qëndro zëvendëson Dallëndyshe Bicin, e cila dha dorëheqjen vetëm pak javë më parë.

Emërimi i tij vjen pak kohë pasi Qëndro u lirua nga detyra e Prefektit të Tiranës, post që e mbajti deri së fundmi dhe që tashmë i është besuar Shkëlqim Hajdarit. I konsideruar si një nga bashkëpunëtorët e afërt të kreut të qeverisë, ai ka ndërtuar ndër vite një profil të konsoliduar në administratën publike dhe në strukturat e Partisë Socialiste. Ka qenë koordinator elektoral në qarqet Tiranë dhe Vlorë, si edhe anëtar I Asamblesë Kombëtare duke luajtur rol aktiv në organizimin politik në terren.

Përvoja e tij në pushtetin vendor përfshin edhe detyrën e nënkryetarit të Bashkisë së Vlorës gjatë viteve 2020–2021, ku ishte pjesë e ekipit drejtues politik të qarkut. Më herët, ai ka drejtuar Autoritetin Rrugor Shqiptar, fillimisht si zëvendësdrejtor i përgjithshëm dhe drejtor i projekteve teknike, për t’u ngjitur më pas në krye të institucionit si Drejtor i Përgjithshëm në periudhën 2017–2019.

Karriera e Qëndros shtrihet edhe në Bashkinë e Tiranës, ku ka mbajtur disa poste të rëndësishme, si Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme Nr. 1 të Qytetit, Kryeinspektor i Inspektoratit Ndërtimor dhe Urbanistik, si dhe Drejtor i Drejtorisë së Rrjeteve Inxhinierike. Rruga e tij profesionale ka nisur në sektorin e rendit dhe sigurisë, si oficer në Policinë e Gjirokastrës në vitin 1994, për të vijuar më pas me përgjegjësi drejtuese në Policinë e Tiranës.

Afrim Qendro
Afrim Qendro

I diplomuar në Universitetin Politeknik të Tiranës për Inxhinieri Mekanike, Qëndro ka thelluar më tej formimin e tij në Inxhinieri Ndërtimi, në degën Infrastrukturë dhe Transport. Ai zotëron gjithashtu një diplomë “Master” në planifikimin e sistemeve të transportit, menaxhimin e trafikut dhe sigurinë rrugore, duke e kompletuar profilin e tij profesional në fushën e infrastrukturës dhe administrimit publik.