Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, në një deklaratë për media ka akuzuar kryeministrin Edi Rama si përgjegjësin kryesor për shkatërrimin mjedisor, urban dhe ekonomik të Shqipërisë.
“Edi Rama, arkitekti i shkatërrimit barbar, urban dhe mjedisor të Shqipërisë, është Kryepiromani, nxitësi i vetëm dhe kryesor i flakëve, që prej javësh po djegin vendin cep më cep.
Fillimisht, si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama inkurajoi prishjen nëpërmjet djegies me zjarr të shtëpive të vjetra tiranase, për t’i hapur rrugën betonizimit të kryeqytetit nëpërmjet një vale ndërtimesh kaotike kullash dhe pallatesh shumëkatëshe, që po e përvëlojnë, kanë shkatërruar çdo hapësirë të gjelbër e publike, i kanë marrë frymën dhe i kanë ndryshuar përfundimisht fizionominë historike këtij qyteti.
Më pas, si Kryeministër, ky model i piromanisë institucionale u zgjerua në nivel kombëtar, me shkatërrimin sistematik të pyjeve dhe kullotave, që digjeshin nga organizatat kriminale me lejen e Edi Ramës për t’u shndërruar në parcela për kultivimin e hashashit, në funksion të strategjisë shtetërore të “Rilindjes” për kanabizimin e plotë të vendit.
Së fundmi, Shqipëria po digjet jo vetëm për të krijuar terrenin e favorshëm për ndërtimin e resorteve, hapjen e parcelave të reja të kanabisit si shpërblim për bandat elektorale me të cilat vrau zgjedhjet më 11 Maj, por raportime të besueshme nga komunitetet në terren bëjnë me dije se veçanërisht në zonat që shohin nga deti dhe ku ka diell më shumë se gjysmën e vitit, po krijohen terrenet e favorshme, për një tjetër biznes fitimprurës, sigurisht për oligarkët dhe klientët strategjikë të qeverisë, ndërtimin e parqeve fotovoltaike.
Piromani i vërtetë i Shqipërisë është Edi Rama, sepse ai e ka ngritur djegien, shkatërrimin urban dhe mjedisor dhe mashtrimin në një sistem qeverisës.
Nga flakët e kontrolluara për interesa kriminale ndërtimi e kanabizimi, deri te djegia sistematike e buxhetit të shtetit për t’i dhënë jetë një modeli korruptiv me inceneratorë që nuk ekzistojnë, me TEC-se lundruese që nuk prodhojnë, me tendera sekretë, me rrugë të florinjta, koncesione hajdutërie dhe me luks qeveritar të pashoq për një vend ku më shumë se gjysma e popullsisë lufton për mbijetesë.
Sot për shkak të korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë kriminale të Qeverisë, Shqipëria rezulton vendi i parë në rajon dhe në Europë për hapësirën me pyje, pemishte e kullota të djegur këtë vit në raport me totalin e sipërfaqes.
Derimë tani vendi ka humbur mbi 50 mijë hektarë si pasojë e zjarreve, ndërkohë që dëmi ekonomik përllogaritet në mbi 311 milion euro duke llogaritur shpenzimet për ripyllëzimin, kostot për rigjenerimin e tokës dhe humbjet nga djegia e lëndëve drusore.
Shqipëria po digjet, sepse në 12 vite në pushtet, Edi Rama kurrë nuk mori asnjë masë efektive parandaluese për mbrojtjen nga zjarri, duke akorduar për këtë vit vetëm 21 milion euro, ose baraz me vetëm 9 euro në vit për çdo qytetar. Ndërkohë që çdo ditë “digjen” 90 mijë euro për inceneratorë që nuk ekzistojnë dhe 94 mijë euro për dy TEC-e lundruese që nuk prodhojnë.
Më 29 mars 2025, pak larg zgjedhjeve të 11 Majit, Edi Rama mashtroi publikisht shqiptarët, duke premtuar avionë zjarrfikës që nuk ekzistojnë.
Sot, Shqipëria nuk ka asnjë avion zjarrfikës, ndërkohë që Maqedonia e Veriut ka 3, Mali i Zi dhe Kroacia 2.
Mungesës së mjeteve të domosdoshme për emergjencat civile, Edi Rama i përgjigjet sot se Shqipëria nuk blen avionë zjarrfikës sepse ka ca llogari që duhen bërë kur flitet për blerje avionësh.
Dhe llogaritë e vërteta të Edi Ramës janë këto:
400 milion euro për inceneratorë që nuk ekzistojnë
250 milion euro dëm ekonomik për dy TEC-e lundruese që nuk prodhojnë
200 milion euro pistë garash për makina
50 milion euro bakshish për Tunelin e Llogarasë
21 milion euro për udhëtime private dhe vakance me charter privat
4 milion euro për një kopsht me lule dhe zhapikë në oborrin e Kryeministrisë.
Kryeministri që pi 33 mijë euro një shishe verë dhe shpenzon 10 mijë euro për detoksim në spitalet më të shtrenjta të Italisë, paguan vetëm 9 euro në vit për çdo qytetar për mbrojtjen nga zjarri, të cilët gjithashtu i mashtron sot duke iu premtuar verbalisht se do t’u ndërtojë shtëpitë e djeguar nga zjarri më të forta e më të mira se më parë.
Këtë premtim verbal e bën i njëjti Kryeministër që 6 vite pas tërmetit tragjik të vitit 2019 ende nuk u ka ndërtuar banesat e premtuara banorëve të prekur nga ajo fatkeqësi natyrore.
E vetmja garanci për ndërtimin dhe dëshmpërblimin e plotë të qytetarëve të prekur nga zjarri, nuk jam premtim-mashtrimet e Edi Rama duke u shëllehur nga plazhi, por shpallja pa vonesa e Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore në të gjitha zonat e dëmtuara nga zjarri.
Shteti shqiptar duhet të përgjigjet një për një për dëmet e shkaktuara nga zjarri dhe braktisja pa mëshirë e qytetarëve në flakët që i ndezi korrupsioni dhe papërgjegjshmëria kriminale e Edi Ramës”, deklaroi Blushi.