Tenderi për prashitjen, krasitjen dhe vaditjen e luleve në Spitalin e Traumës
Një ndër “ustalleshat” e tenderëve është ish-deputetja e PS, Edlira Bode, prej katër vitesh drejtoreshë e Spitalit të Traumës. Ajo ka filluar t’i zhvillojë tenderët nëpërmjet Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, agjenci e ish-Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në varësi të Blendi Gonxhes.
Ndërkohë që në Spitalin e Traumës mungojnë ilaçet dhe pajisjet, drejtoresha Edlira Bode ka sajuar dhe firmosur një tender “shërbim emergjence” më 11 shtator 2025, me objekt prashitjen, krasitjen dhe vaditjen e luleve në mjediset e këtij spitali.
Operatori i Blerjeve të Përqendruara e shpalli këtë tender me vlerë fondi limit 390 milionë lekë me TVSH më 15 shtator 2025 në Buletinin e Prokurimeve Publike. Tenderi do të zhvillohet më 13 tetor, kur “Ministrja Diella” do të ketë një muaj në detyrë dhe do t’i duhet të verifikojë nëse ky tender është vjedhje apo jo.
Tenderi për “larje emergjente” makinash në Bashkinë e Tiranës
Edhe kryetarja në detyrë e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, më 11 shtator 2025 ka sajuar dhe firmosur një tender me vlerë fondi limit 240 milionë lekë me TVSH për larjen e makinave të zyrtarëve të kësaj bashkie.
Ashtu si Edlira Bode me tenderin e luleve, edhe Anuela Ristani e ka cilësuar “shërbim emergjence” larjen e makinave të zyrtarëve të bashkisë dhe e ka planifikuar zhvillimin po më 13 tetor 2025.
Këto dy raste tregojnë qartë se hajdutët e qeverisë nuk kanë frikë as nga “Diella”, sepse ajo është vetë Babloku që udhëron ministrat, drejtorët dhe kryebashkiakët të sajojnë e firmosin tenderë e koncesione fiktive për klientët e pushtetit./ Marrë nga “Pamfleti“