Aktualitet

Tenderi 11 milionë euro i RTSH: Eni Vasili e anulon tre herë për t’ia dhënë kompanisë së paracaktuar

Drejtoresha e RTSH shpërfill vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik dhe rishpall tenderin për rrjetin e dekoderëve…

Tenderi 11.3 milionë euro për mirëmbajtjen e rrjetit të dekoderëve të RTSH është anuluar dhe rishpallur disa herë nga drejtoresha Eni Vasili, edhe pasi Komisioni i Prokurimit Publik la në fuqi fituesin e shpallur nga komisioni i mëparshëm. Sipas dokumenteve dhe informacioneve të publikuara, procedura është rihapur për herë të katërt dhe pritet të zhvillohet më 7 prill 2026. Çështja ka ngritur dyshime për ndërhyrje dhe përpjekje për të orientuar tenderin drejt një kompanie të caktuar.

Një javë pasi Linda Rama e emëroi Drejtoreshë të Përgjithshme të Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili anuloi tenderin 11 milionë euro me objekt: “Blerje shërbimi të mirëmbajtjes për rrjetin e shpërndarjes DVB-T2 (dekoderët)”, me afat kontrate 4 vite.

Në muajin mars 2025, komisioni i ngritur nga ish-drejtoresha e Radio Televizionit Shqiptar, Aurora Polo, zhvilloi tenderin dhe shpalli fituese kompaninë “R&T” sh.p.k., në pronësi të Renis Tërshanës, me vlerë kontrate 9.6 milionë euro me TVSH.

Tenderi 11 milionë euro i RTSH: Eni Vasili e anulon tre herë për

Por drejtoresha pasardhëse, Eni Vasili, shfuqizoi vendimin e komisionit prokurues dhe anuloi e rishpalli tenderin pa asnjë provë për shkelje ligjshmërie, ndërsa kompania fituese bëri ankim në Komisionin e Prokurimit Publik.

Komisioni rrëzoi vendimin e drejtoreshës Eni Vasili, duke lënë në fuqi vendimin e shpalljes fituese të kompanisë “R&T” sh.p.k., shoqëruar me detyrimin për nisjen e zbatimit të kontratës së shërbimit për blerjen dhe mirëmbajtjen e rrjetit të dekoderëve në RTSH.

Eni Vasili nuk e zbatoi as vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik dhe rishpalli tenderin me vlerë 11.3 milionë euro me TVSH, por e anuloi përsëri para se ta zhvillonte, ngaqë rrezikohej të mos e merrte kompania e paracaktuar prej saj, e lidhur në interesa me familjen kryeministrore.

Më 9 mars 2026, Eni Vasili e ka rishpallur përsëri tenderin me të njëjtën vlerë fondi limit 11.3 milionë euro me TVSH dhe do ta zhvillojë më 7 prill 2026, fiks një vit nga emërimi në krye të Radio Televizionit Shqiptar dhe nisja e përpjekjeve për këtë tender.

Tenderi 11 milionë euro i RTSH: Eni Vasili e anulon tre herë për

Sipas informacioneve të ardhura në “Pamfleti”, Eni Vasili ka marrë urdhër nga Linda Rama për kompaninë që duhet të marrë tenderin e dekoderëve të Radio Televizionit Shqiptar dhe ajo pritet ta zbatojë këtë vendim edhe nëse do të duhet të ndryshojë procedurat apo kriteret.

Një vit më parë, interesat për këtë tender shkaktuan konflikt të hapur dhe të ashpër mes drejtoreshës Eni Vasili dhe kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës të Radio Televizionit Shqiptar, Fatjon Hoxhalli, ish-këshilltar i Niko Peleshit, pasi secili kishte preferuar kompani të ndryshme për tenderin.

Por pas anulimit të tenderit për herë të dytë, konflikti mes tyre u shua dhe tenderi iu la në dorë vetëm Eni Vasilit, sipas burimeve nga RTSH.

Tashmë ajo e ka shpallur përsëri tenderin 11.3 milionë euro, me synimin për t’ia dhënë kompanisë që nuk arriti ta fitonte në tre procedurat e para./Pamfleti