Nga fondet e agroturizmit te tenderët e karburanteve, dosja zbërthen lidhjet mes familjes Peçi dhe kompanisë “Resuli ER”, me shitje fiktive aksionesh dhe dyshime për pastrim parash…
Dosja e SPAK për ish-kryebashkiakun e Tepelenës dhe deputetin aktual Tërmet Peçi përfshin edhe Afërdita Resulin dhe kompaninë “Resuli ER” sh.p.k., e dyshuar për përfshirje në përvetësim tokash, fonde IPARD dhe pastrim parash përmes resorteve turistike dhe bizneseve të karburanteve. Hetimet tregojnë se 66 për qind e aksioneve të resortit “Agroturizëm Rexhini” u shitën për vetëm 660 euro, ndonëse investimi real kap vlerën 1.1 milionë euro. Paralelisht, “Resuli ER” ka përfituar rreth 23 milionë euro tenderë publikë, ndërsa mospërputhjet mes sasive të karburantit të shitur dhe atyre të deklaruara ngrejnë dyshime për kontrabandë. Rasti konsiderohet një nga skemat më të gjera të ndërthurjes së pushtetit lokal, fondeve europiane dhe kapitalit të dyshimtë.
Bashkë me ish-kryebashkiakun e Tepelenës, deputetin Tërmet Peçi, motrën e tij Manjola Haska (Peçi), kunatin Spartak Haska dhe drejtorin e Bashkisë Lorenc Bami, subjekt hetimi në dosjen e SPAK është edhe Afërdita Resuli dhe kompania “Resuli ER” sh.p.k.
Afërdita Resuli është bashkëshortja e pronarit të kompanisë së karburanteve “Resuli ER” sh.p.k., e cila po hetohet si pjesë e grupit të Tërmet Peçit për përvetësim tokash, fonde të IPARD dhe pastrim parash në ndërtime, pasuri dhe aksione në resorte, përmes shitblerjeve fiktive dhe bilanceve të rreme.
Hetimi ndaj Afërdita Resulit po kryhet për përfshirjen formale në skemat me tokën publike, investimet, financimet dhe përfitimin e 225 mijë eurove fonde IPARD për resortin “Agroturizëm Rexhini”, në fshatin Rexhin të Njësisë Administrative Kurvelesh, për të cilin ekzistojnë prova.
Pas lidhjes së kontratës me AZHBR, motra e Tërmet Peçit i shiti 66 për qind të aksioneve të resortit për 660 euro shtetases Afërdita Resuli, bashkëshortja e pronarit të kompanisë “Resuli ER” sh.p.k. Ky transaksion është klasifikuar si shitje fiktive, pasi investimi total i resortit kap vlerën 1.1 milionë euro.
Sipas analizës ekonomiko-financiare të kryer nga BKH, vlera e shitjes prej 660 eurosh përfaqëson vetëm 0.7 për qind të vlerës së investimit. Ndërkohë, motra mësuese e Tërmet Peçit nuk ka pasur të ardhura të mjaftueshme për të financuar një investim prej 1.1 milionë eurosh për ndërtimin dhe vënien në funksion të resortit.
Sipas të dhënave që disponojnë BKH dhe SPAK, përfshirë përgjime telefonike dhe ambientale, ka rezultuar se financimi është kryer nga Tërmet Peçi dhe pronari i kompanisë së karburanteve “Resuli ER” sh.p.k., Eduart Resuli, si skemë për fshehjen e burimit real të të ardhurave.
Në këtë skemë mashtrimi përfshihet edhe fakti se dy pronaret formale të resortit, Afërdita Resuli dhe Manjola Haska (Peçi), pra në realitet Tërmet Peçi dhe tregtari i karburanteve Eduart Resuli, rezultojnë në letra me 820 milionë lekë detyrime për këtë investim, pa u deklaruar emrat e subjekteve financuese.
Sipas provave të mbledhura nga BKH, djali i Tërmet Peçit ka qenë menaxher në kompaninë e karburanteve, ndërsa emri i pronarit Eduart Resuli ka dalë si qarkullues milionash te kompania “IUMENTIS” e grupit të Tërmet Peçit. Kjo kompani ka përfituar 758 mijë euro fonde IPARD për ndërtimin e thertores në Tepelenë dhe rezulton gjithashtu aksioner ilegal në “Agroturizëm URLA”, po në Tepelenë.
Kompania “Resuli ER”, 23 milionë euro tenderë dhe dyshime për kontrabandë karburanti
Sipas të dhënave nga Thesari i Shtetit, kompania “Resuli ER” sh.p.k. ka përfituar rreth 23 milionë euro tenderë gjatë 12 viteve, një pjesë e tyre në bashkëpunim me kompani të tjera.
Por sipas hetimit, për tenderët që kompania ka marrë e vetme, sasia e karburantit të shitur shtetit rezulton më e madhe se sasia e deklaruar si furnizim në bilancet zyrtare, fakt që ngre dyshime për kontrabandë.
Kompania, me qendër në Fier, është raportuar disa herë në SHISH dhe strukturat e antikrimit për bashkëpunim në aktivitete të dyshimta me kompaninë “Boilv Oil” të Behar Çukës, me importues karburantesh dhe me drejtues të “Albpetrol” dhe “Bankers”, por deri më tani ka shmangur procedimet penale.
“Resuli ER” sh.p.k. është futur masivisht në tenderët publikë pas vitit 2013. Ka edhe dy kompani të tjera tregtimi karburantesh, konkretisht “ER Petrol” sh.p.k. dhe “Resuli” sh.p.k., kjo e fundit e përthithur pa likuidim nga “Resuli ER” sh.p.k. Për aktivitetin e tyre ekzistojnë raporte nga organet e zbatimit të ligjit.

Nuk dihet ende arsyeja pse, në periudhën mars 2021 – qershor 2024, Eduart Resuli, përmes katër akt-dhurimeve, i kaloi vëllait të tij Roland Resuli 49 për qind të aksioneve të kompanisë “Resuli ER” sh.p.k., çështje që aktualisht po investigohet./Pamfleti