Demokrati Myslym Murrizi ka shpërthyer ndaj deputetit Bujar Leskaj, lidhur me shprehjen e thënë ditën e djeshme, gjatë tubimit të mbajtur në Tiranë për ish-krerët e UÇK-së.
Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, Murrizi shprehet se Leskajt ‘nuk i rruhet’ për urdhërat e partisë, pasi tani e ka siguruar mandatin e deputetit pa pasur asnjë votë. Më tej ai shtoi se fajin për këtë situatë brenda PD-së e kanë ata që e drejtojnë dhe kanë zhvlerësuar çdo organ brenda saj.
“Bujar Leskaj ka të drejtë që nuk e rruan se është “rruajtur” dy palë zgjedhje rresht në 2021 tek Luli në 2025 tek Muli për të qenë drejtues i Qarkut Vlorë dhe numri 1 në listën e mbyllur. Pra, kur “rruhesh” dy herë rresht për të marrë mandat pa vota, nuk mund ta rruash për asnjë “berber”. E dyta, Partia nuk është repart ushtarak që të funksionojë me urdhëra leshi, por bashkim vullnetar individësh që mbrojnë interesat e tyre dhe të shtresës që përfaqësojnë.
Partia ka kushtetutën e saj që quhet Statut dhe në Statut thuhet se Partia funksionon me vendime që i marrin organet që drejtojnë Partinë, dhe çdo vendim duhet të jetë publik, i argumentuar për kauzën që merret dhe në interesin politik të Partisë. Kur të tjerët nuk e rruajnë për organet e Partisë dhe nuk i mbledhin se mendojnë se i bëjnë të gjitha vetë, atëherë Bujari dje, por edhe Bujarët e Hajdarët të tjerë në vazhdim nuk do ta rruajnë fare derisa Leshi i tyre të “fshijë“ oborrin dhe zyrat e PD-së si fshesë korrenti”, shkruan Murrizi.