Përplasja mes Ervin Salianjit dhe Sali Berishës ka kaluar në një tjetër nivel. Përveç sulmeve në distancë, Sekretari i PD, Flamur Noka, ka shkuar deri aty sa e ka larguar Salianjin nga grupi në WhatsApp i Kryesisë së partisë.
Duhet kujtuar se Salianji është anëtar i Kryesisë së PD dhe madje në mbledhjen e fundit pati shumë përplasje. Ky largim mund të nënkuptohet dhe si një sinjal se ai mund të jetë larguar edhe si anëtar i Kryesisë.
Burime pranë Kryesisë, kanë konfirmuar lajmin për Skrapari News, e cila ka siguruar edhe një screenshot nga grupi në rrjetin social.

Mbledhja e Kryesisë e mbajtur më 13 dhjetor u shoqërua me tensione dhe debate të forta mes Nokës dhe Salianjit.
Noka i ka thënë Salianjit: “Me këtë që po bën ti je duke bashkëpunuar me ata që kemi përballë”.
Ndërsa Salianji i është drejtuar duke i thënë:”Jep dorëheqjen, Flamur, e ke shkatërruar partinë, dhe gabimi me Avokatin e Popullit është përgjegjësi e jotja”.
Ai e akuzoi Nokën për shkatërrimin e partisë, teksa tha se “sot mendova se e kishim mbledhjen për të rrezuar Ramën, e paskeni me ne”.
Salianji ka kërkuar që analiza të bëhet brenda strukturave të partisë dhe “të mos dalë anash”.
Kujtojmë që Ervin Salianji ka ndërmarrë në javët e fundit një tur takimesh me ata simpatizantë dhe anëtarë të PD në të gjithë vendin, takime që kreu i partisë, Sali Berisha, i ka cilësuar si nisma personale dhe pa lidhje me partinë.