Aktualitet

Tiktok-eri i huaj hyn lirisht në bazën ajrore të Gjadrit dhe publikon gjithçka

Një video e publikuar në Tik Tok nga një personi që mban emrin e profilit urbexdrilon.bu, i cili arrin të hyjë në bazën ajrore të Gjadrit dhe të publikojë foto dhe planimetrinë e saj, rikthen vëmendjen te problemet që ka çështja e sigurisë kombëtare në vendin tonë.

I riu bloger, që publikon në profilin e tij kryesisht pamje nga vende të braktisura kudo në botë, ka hyrë lirisht në bazën ushtarake shqiptare dhe ka fotografuar, madje dhe ka përshkruar për ndjekësit e tij detaje të sigurisë së saj.

“Është e rrezikshme të hysh, sepse është ende një zonë ushtarake dhe ka roje, por mund të hysh fshehurazi nëse ke fat”, thotë ai.

Djaloshi, jo vetëm që ka kaluar të gjithë filtrat e sigurisë të bazës ajrore të Gjadrit, ku ruhen reliket e aviacionit luftarak shqiptar, por që së fundmi është kthyer në funksion për fluturimin e helikopterve UH-60 Black Hawk, por ka pasur kohë që edhe të shkrepë foto artistike, të mbikëqyrë të gjithë sigurinë e tuneleve nëntokësore, madje edhe të sigurojë edhe planimetrinë e saj.

Në profilin e këtij të riu, të pasionuar pas ndërtesave relike, është publikuar edhe një video nga baza e nëndetëseve në Porto Palermo.

Ky incident nxjerr në pah, mungesën e kontrollit dhe standardeve të sigurisë në objektet strategjike të vendit, një problematikë që u bë publike dhe mori vëmendjen të veçantë pas rastit të bujshëm të arrestimit të “spiunëve rusë” në uzinën ushtarake të Gramshit, ku ranë në pranga Svetlana Timofoeva, 33 vjeçe, Mikhail Zorin dhe 25-vjeçari ukrainas Fjodor Mihajlov.