Kronikë

TMERR në Himarë, Polici Albano Baraj godet me levë qytetarin para banesës së tij, edhe bashkëshorten shtatzëne bashkë me nënën

Një qytetar është dhunuar dhe goditur me leva në trup e në kokë para banesës së tij nga efektivi i Policisë Bashkiake Himarë, Albano Baraj.

Ngjarja e cila është denoncuar nga familja e të dhunuarit, raportohet se ka ndodhur dy ditë më parë, para banesës së shtetasit Andi Hoxha.

Familjarët e Andi Hoxhës bëjnë me dije se polici bashkiak, i cili më herët kishte pasur një konflikt të mëparshëm me shtetasin Hoxha (për të cilin kallëzimi penal i depozituar në Policinë e Shtetit Himarë u mbyll në mënyrë të njëanshme dhe pa e përcjellë në Prokurori apo Gjykatë), ditën e ngjarjes është paraqitur para banesës së tij dhe ka sulmuar në mënyrë brutale Andi Hoxhën dhe familjen e tij.

Sipas dëshmive të qytetarëve të pranishëm, Andi Hoxha është goditur disa herë me levë në kokë dhe trup, duke u lënë pa ndjenja dhe duke rrezikuar seriozisht jetën.
Gjithashtu bashkëshortja e tij, në pritje të një fëmije, si dhe nëna 80-vjeçare, janë gjithashtu goditur e keqtrajtuar gjatë tentativës për të mbrojtur viktimën.

Familja e Hoxhës thotë se pavarësisht thirrjeve të shumta, në vendngjarje nuk është paraqitur Policia e Shtetit, por vetëm autoambulanca.

“Pas sulmit, autori i njohur si person i përsëritur në akte dhune – nuk u shoqërua dhe as u ndalua nga policia, por përkundrazi u pa duke u paraqitur normalisht në vendin e punës në Bashkinë Himarë. Ky fakt ngre dyshime të forta për favorizim dhe komprometim nga ana e Policisë së Shtetit në Himarë, e cila deri më sot nuk ka marrë asnjë masë ndaj autorit”, njofton familja e Andi Hoxhës.

Gjendja shëndetësore e të lënduarit mbetet e rënduar. Fillimisht ai u nxor nga spitali vetëm dy orë pas daljes nga koma, ndërkohë që u detyrua të rikthehej me urgjencë pas një kolapsi në rrugë. Aktualisht ai vijon trajtimin në spitalin e Vlorës.

Si rrjedhojë familja Hoxha kërkon:

Marrjen e menjëhershme të masave ligjore ndaj autorit të dhunës Albano Baraj, duke e ndaluar dhe proceduar penalisht sipas ligjit.
Hetimin e rolit të Policisë së Shtetit Himarë dhe të çdo punonjësi që ka vepruar në mënyrë të njëanshme për të mbrojtur autorin.
Reagimin e institucioneve qendrore, përfshirë Prokurorinë dhe Ministrinë e Brendshme, për të siguruar një proces të drejtë dhe të paanshëm.