Bota

TRAGJIKE/ Asfiksohen nga gazi 4 fëmijët e një familjeje, humb jetën 16-vjeçari, në gjendje kritike motrat e tij

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në zonën e Ksanthit në Greqi orët e para të mëngjesit të sotëm, në një shtëpi ku jetonte një familje me gjashtë anëtarë.

Mediat greke shkruajnë se një 16-vjeçar ka humbur jetën për shkak të asfiksimit nga gazi në banesë, ndërsa motrat tij janë dërguar me urgjencë në spital. Sipas autoriteteve, tragjedia u shmang falë nënës 47-vjeçare të familjes, e cila zbriti në katin e poshtëm të banesës për të zgjuar fëmijët e saj dhe i gjeti ata të gjithë në gjendje të rëndë nga një rrjedhje gazi.

Sipas mediave, babai i fëmijëve i cili flinte në katin e dytë është gjetur në gjendje të mirë dhe nuk ka kërkuar shtrimin në spital, ndërsa nëna është dërguar në spital, por është në gjendje të mirë.

Hetimet për rrethanat që çuan në këtë tragjedi po kryhen nga Policia e Ksantit, në bashkëpunim me Shërbimin Zjarrfikës. Në kuadër të hetimeve paraprake, është dhënë urdhri për kryerjen e një ekspertize mjeko-ligjore për trupin e 16-vjeçarit, si dhe një ekspertizë toksikologjike.

Po ashtu, janë kërkuar ekspertiza teknike për instalimin e botit të gazit pranë banesës së tyre, që dyshohet të jetë vendosur 24 orë para ngjarjes fatale. Burime policore kanë bërë me dije se ishte krijuar një mjedis mbytës në zonën ku ndodheshin dhomat e gjumit të fëmijëve, dhe se një ditë më parë ishte punuar jashtë shtëpisë për vendosjen e një boti gazi.