Sport

Trajneri Bespalla është i bindur nga “nëndetësja”: Dinamo mund të fitojë të dy trofetë (E PLOTË)

Dinamo nuk po kalon një moment të mirë në kampionat, megjithatë Justin Bespalla është i bindur se ky moment do të kalojë shpejt.

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri i Dinamos U19 është i bindur se mungesat kanë ndikuar megjithatë merkatoja është e bërë mirë sipas tij, teksa flet edhe për afrimet nga ekipi i moshave.

Justin, luhet faza e tretë, por Dinamo ende nuk e ka bërë fitoren e parë. Çfarë nuk po shkon me skuadrën?

Tek Dinamo çdo gjë është shumë në rregull. Nuk mendoj se ka gjë që nuk shkon, por çdo ekip ka oshilacionet e veta përgjatë kampionatit. Edhe dëmtimet e disa lojtarëve kryesorë kanë ndikuar te performanca e Dinamos dhe me rikthimin e tyre, shumë shpejt do të dalë te lojërat e bukura dhe te fitorja. Stafi teknik, me në krye profesor Ilir Dajën, dhe me mbështetjen e presidentit Ardian Bardhi, po bëjnë çdo gjë që ky ngërç të kalojë sa më shpejt dhe të kthehet aty ku i takon.

Si i sheh shanset e Dinamos për titull?

Shanset e Dinamos për titull, jo vetëm unë, por i gjithë opinioni sportiv e kuoton Dinamon pretendente për titullin kampion dhe kjo vlen kur Dinamo të ndeshet me rivalët direktë në “Final Four”, aty do të shihet forca reale e Dinamos.

A mendon se këto pikë të lëna do të ndikojnë në fund të garës, apo jeni të bindur se Dinamo mund t’i rikuperojë?

Pikët e lëna, siç e thashë edhe më lart, me kthimin e lojtarëve të dëmtuar Dinamo shumë shpejt do t’i rikuperojë.

Ndërkohë, ka pasur 2 afrime dhe 3 largime. A mendon se me afrimet e bëra mund të bëhet më mirë se deri më tani?

Me afrimet e bëra, profesor Daja do ta ketë grupin më të plotë dhe do të ketë më shumë rivalitet si në stërvitje ashtu edhe në ndeshjet që do të zhvillojë, kurse për largimet e bëra them që kjo nuk do të ndikojë shumë, sepse lojtarët e larguar nuk kanë qenë lojtarë të formacionit bazë.

Sa mund të ndikojnë lojtarët e larguar në janar?

Lojtarët e larguar në janar besoj se nuk do të ndikojnë shumë, sepse me afrimet e bëra në janar janë afruar lojtarë cilësorë që besoj se do ta rrisin shumë cilësinë e grupit.

Duke qenë se Daja nuk është nga ata trajnerë që i beson shumë të rinjve, sa e vështirë është për ju të motivoni skuadrën?

Duke e marrë Dinamon nga mosha mesatare, është 26 vjeç, kjo do të thotë se profesor Daja ka ndërthurur eksperiencën me moshën e re. Si presidenti Ardian Bardhi, ashtu edhe profesor Daja, sytë i kanë nga elementët e rinj të akademisë.

Cilat janë objektivat që Dinamo U19 ka këtë sezon?

Objektivat e Dinamos U19 janë që sa më shumë të rrisim elementët e rinj që t’i shërbejnë ekipit të parë. Ky është objektivi kryesor i U19 dhe, e dyta, objektivi i Dinamos U19 është që të zhvillojë lojëra sa më të bukura dhe të jetë model në disiplinë, gjë që e ka treguar gjatë gjithë kampionatit U19, që jemi ekipi i vetëm i disiplinuar. Kjo gjë e rrit edhe më shumë elementin e ri që të rritet duke respektuar kundërshtarin, arbitrat dhe njëri-tjetrin.

A ka në skuadër lojtarë që mund t’i shërbejnë edhe ekipit A?

Ekipi i U19 ka lojtarë që shumë shpejt mund t’i shërbejnë ekipit të parë. Lojtarë që janë me kontratë nga klubi është kapiteni i ekipit Bjorni Duka dhe së fundi është afruar edhe Skënder Meta. Kjo tregon që interesi i presidentit Ardian Bardhi dhe i profesor Dajës janë gjithmonë te elementët më cilësorë të akademisë.

Në vitet e fundit ka pak lojtarë nga akademitë nëpër skuadra dhe shumë të huaj. A e ndihmon garën kjo apo e dëmton?

E kam theksuar edhe në një intervistë më përpara se lojtarët e rinj duhet të stërviten, duhet të jenë të disiplinuar, duhet të sakrifikojnë sa më shumë dhe stërvitjet t’i zhvillojnë me ritëm sa më të lartë për të arritur te ekipet e para. Kjo gjë arrihet me punë, me një regjim rigoroz dhe disiplinë. Çdo futbollist dhe çdo prind i tyre duhet të ndërgjegjësohet se formacioni dhe ekipi i parë fitohet dhe nuk dhurohet. Kam shumë besim se, nëse ky mentalitet thyhet dhe çdo futbollist i ri dhe çdo prind pranojnë realitetin, shumë shpejt cilësia do të rritet dhe nuk do të kemi shumë nevojë për të huaj.

Nesër Dinamo luan në Kupë sërish ndaj Tiranës. Si e parashikon?

Dinamo është fituesja aktuale e Kupës së Shqipërisë dhe besoj dhe uroj që me një fitore nesër të hedhë një hap drejt finales. Kam shumë besim se nesër Dinamo do të fitojë dhe është një nga ekipet e vetme me mentalitet fituesi.

A duhet të përqendrohet Dinamo te Kupa apo mendon se ka kualitet për të dyja trofetë?

Dinamo do të përqendrohet te të dy trofetë, sepse ka një staf teknik dhe një trajner si Ilir Daja, shumë profesionist dhe shumë i mirë. Ka një president si Ardian Bardhi, që është i vetmi president në Shqipëri që në momentet më të vështira që kalon ekipi i qëndron pranë, si nga ana financiare ashtu edhe nga ana motivuese. Dinamo në gjirin e saj ka lojtarë shumë cilësorë dhe, duke i bashkuar të treja këto që thashë, jam më se i bindur që Dinamo do të luftojë për të dy trofetë.