Trajneri i Partizanit, Kërnaja: Urime ditëlindja e 80-të, uroj sa më shumë trofe për këtë klub historik
Trajneri Oltijon Kërnaja, në eventin e organizuar për datëlindjen e 80-të të Partizanit, për “Panorama Sport”, uroi klubin dhe familjen e kuqe për këtë përvjetor të veçantë.
Ndër të tjera, numri një i të kuqve, shtoi se shpreson në një vit sa më të mbarë për të gjithë në ambientin e Partizanit si dhe për të koleksionuar sa më shumë trofe duke qenë se klubi dhe historia e tij është e pasur me triumfe.
“Sigurisht që është një vit jubilar, i uroj të gjithë tifozëve dhe familjes së kuqe sukseset më të mëdha. Shpresoj që klubi të marrë sa më shumë trofe, shpresoj në një vit sa më të mbarë për të gjithë. Partizani është një klub që është mësuar me trofe, uroj që të koleksionojë sa më shumë të tillë. Për mua është një kënaqësi dhe nder që jam pjesë e një prej klubeve me më shumë peshë, rëndësi dhe histori në futbollin shqiptar. Do të punojmë për të marrë maksimumin dhe për të gëzuar tifozerinë e të gjithë ambientin që sot gëzon dhe feston për këtë përvjetor kaq special për klubin tonë”.