Sport

Trajneri i Shqipërisë U17 para startit të Europianit: Nuk do bëjmë viktimën, këta lojtarë u zgjodhën me komision

Trajneri i Shqipërisë U17, Andrea Tedesko, ka folur sot para mediave për pjesëmarrjen në fazën finale të turneut që zhvillohet në vendin tonë, duke shprehur emocionet e tij e padyshim pritshmërinë që ka për ekipin edhe pse ka përballë skuadra të vështira në grup si Portugalia, Gjermania e Franca.

Objektivi – “Jemi shumë të lumtur që i bashkohemi këtij turneu në fazën finale. Objektivi ynë i parë është t’i japim një eksperiencë të mirë të gjithëve ne, federatës, stafit, lojtarëve, se është hera e parë që ne përballemi me një fazë finale. Objektivi i parë është t’i japim kënaqësi njerëzve që do të vijnë të shohin paraqitjet, ndeshjet tona. Është shumë e rëndësishme që të krijojmë një atmosferë të mirë rreth ekipit. Pastaj nga pikëpamja teknikë, do të dëshiroja të shihja ekipin tim të rritej në këtë turne nga momentet në ndeshje, sepse kishim disa paraqitje të mira që nga shtatori e deri në mars, por do të dëshiroja që këtë pjesë të mirë ta vazhdonim gjatë ndeshjes dhe tre ndeshjeve të pjesës së parë të turneut. Pastaj ta shohim”.

Turneu në Shqipëri dhe kundërshtarët – “Padyshim jemi shumë të lumtur që finalja e turneut po zhvillohet në shtëpi, këtu në Shqipëri. Është një eveniment i jashtëzakonshëm, kemi shumë kohë që përgatitemi të përballemi me këtë sfidë nga pikëpamja organizative, por edhe nga  ajo e lojtarëve. Mendoj se futbolli, sporti në përgjithësi, është bërë që të jetosh këtë lloj evenimentesh. Do të përballojmë këtë sfidë me krenari të madhe që jemi pjesë e tij. Padyshim e dimë që kundërshtarët janë shumë, shumë të fortë. Do të përballemi me Portugalinë që ka fituar 6 herë Europianin U17, ndaj e dimë se janë shumë të mirë. Por ne jemi gati të përballemi në mënyrën më të mirë me të gjithë, pastaj do e shohim në fushë. Mendoj se të rinjtë mund të na japin shumë surpriza, disa herë të mira, e disa herë të këqija. Por duhet të jemi të gatshëm ta pranojmë këtë, pasi ata po rriten. Në futbollin e të rinjve nuk është aq i rëndësishëm rezultati, por paraqitjet dhe shpresoj që do të kemi paraqitje të mëdha pasi kjo është ajo që po mundohemi të ndërtojmë”.

Vetëm pjesëmarrje apo diçka më shumë? – “Ne po përgatitim lojtarët nga pikëpamja emocionale dhe taktike ndaj do të mbështetim ata. Po i mbështetim që të përballen me kundërshtarët në fushë, të mundohen të jenë protagonistë në sport. Nuk mund të rrimë e presim si viktima, nuk e di a është mënyra e duhur për ta thënë. Ne do të mundohemi të bëjmë futbollin tonë, por nuk jemi vetëm ne, është edhe kundërshtari. Është ndeshje fizike, psikologjike, teknike e taktike. Është emocionale. Të gjithë këtu jemi ndryshe nga pikëpamja emocionale, nesër do te shohim si do e përballojë ekipi atmosferën, stadiumin, çdo gjë në fushë. Padyshim do të mundohemi të bëjmë më të mirën, jo vetëm të rrimë e presim. Pastaj ka të bëjë me momentin gjatë ndeshjes, edhe unë jam kureshtar dhe po pres mënyrën se si lojtarët do të menaxhojnë momentin e lojës në këtë skenar. Është proces i ri për ne, të shohim çfarë ndodh, është diçka e re dhe meqë është e re, nuk mund ta dimë tani, do e shohim. Gjithsesi do të jem krenar për këtë ekip”.

I shqetësuar nga kundërshtarët? – “Nëse di isha i shqetësuar, nuk do ta kisha pranuar këtë mundësi. Në momentin kur gjyqtari i bie bilbilit, është futbolli. Në rrugë, kur luan me miqtë, në stadium, në plazh me raste, është futbolli. Kur nis ndeshja, nuk ka mure për t’u përplasur, është puna jonë, puna e stafit teknik që është gati të përballet me sfidën. Është puna e lojtarëve, kjo është ajo që kanë ëndërruar që kur ishin të vegjël. Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe po pres me padurim fillimin e ndeshjes. Padyshim, në renditjen e FIFA-s, Shqipëria është e 66-ta ndërsa Portugalia është e 7-a mos gabohem. Ka një diferencë. Por do të mundohemi të bëjmë më të mirën që të bëjmë ekuilibër dhe të mos marrim në konsideratë gjërat e tjera”.

Mungesa e lojtarëve nga kampionati shqiptar – “Siç e dini, politika e FSHF është e qartë, po investon shumë para për të ndërtuar fusha, për të bërë kurse teknike, po afron shumë njerëz nga futbolli europian që të mësohet e përmirësohet nga çdo pikëpamje dhe është koha të përmirësohet futbolli lokal. Kur më ftuan këtu për t’iu bashkuar FSHF, si trajner i U17, m’u kërkua që të stërvit ekipin, jo të menaxhoj gjithçka. Ndaj ne po zgjedhim lojtarët me një grup me tre persona: unë, drejtori teknik dhe koordinatori i skautëve. Ne kemi bërë komision dhe shohim lojtarët më të mirë që mund të zgjidhnim padyshim. Gjatë kësaj periudhe, nga shtatori deri tani, ne kishim shumë lojtarë të kampionatit shqiptar që ishin me ne. Gjatë programit hap pas hapi, ishin pjesë e ekipit, pastaj vendimi final ishte të kishim këto 20 lojtarë. Nuk mund të thërrasim 23-24, si do të dëshironim, kjo është lista finale që u bë nga komisioni. Padyshim, të gjithë kemi preferenca, në disa raste u plotësuan të mia e në disa jo, por kjo u bë nga një grup për më të mirën e mundshme dhe për të mirën e FSHF-së. Më lejoni të shtoj diçka. Nga tani e tutje, këta janë 20 më të mirët në botë për mua dhe do të bëj gjithçka që t’i vendos në kushtet më të mira të përfaqësojnë Shqipërinë në fushë”.

Bashkëpunimi me Silvinjon  – “Me Silvinjon qëndrojmë çdo ditë në zyrat e FSHF, flasim çdo ditë, flasim për futboll padyshim. Në dy javët e fundit kam folur me të për shumë gjëra dhe kur flasim për futbollin flasim edhe në përgjithësi dhe ai më pyeti kohët e fundit. Më dha një sugjerim të mirë dhe jam i lumtur që e njoh dhe që kaloj pak kohë me të çdo ditë në zyrat e FSHF”.

Taktika në mbrojtje – “Futbolli modern ka të bëjë më shumë me duelet, nëse fiton duelet, me shumë mundësi do të kesh një rezultat të mirë. Ndaj nëse duam të bëjmë lojtarët të rriten nga pikëpamja e dueleve, duhet t’i provojmë, nëse duam të krijojmë lojtarë, siç bëjnë ekipet kombëtare e klubet, për ekipin e parë. Duhet t’i japësh sfida që të fitojnë, humbin apo rifillojnë, ky është procesi, në këtë mënyrë rritesh. Kjo është sfida ime gjithashtu me këta lojtarë. Disa herë duhet të punojmë me duelet, disa herë punojmë me reparte, por padyshim fuqia duhet të jetë grupi dhe dashuria për këtë sport, pasi këto ngjarje të jashtëzakonshme duhet të përballen së bashku. Ne nuk po shohim për lojtarë individualë, por për lojtarë ekipi. Padyshim, nëse je i aftë të mundësh kundërshtarin një kundër një, je individual. Por në çdo moment gati të jesh një lojtar skuadre. Këtë dua të shoh në fushë. Në letër janë më të fortë, por nëse e shohim kështu mendoj se e kemi humbur pa filluar, nuk kemi propozuar asgjë. Futbolli tani kërkon lojtarë e trajnerë që propozojnë diçka, kjo është më e vështirë se sa të mbrosh vetëm. Është më e vështirë kur ke topin se sa kur e ka kundërshtari, duhet të bësh më shumë gjëra. Mbrojtja është më shumë me reparte e numra, përqendrim, kaq. Ndaj dua të shoh ekipin duke menaxhuar momentin mirë kur mbrohet, por edhe kur kemi topin, të mposhtim diku kundërshtarin. Të shohim, por ne po e provojmë”.

Tifozët – “E di që nesër do të ketë 8-10 mijë njerëz që  do vijnë të shohin ndeshjen e parë. Jemi shumë të lumtur, duam të falënderojmë të gjithë këta njerëz, njerëz nga familjet, miqtë dhe të tjerë që punojnë në të këtë atmosferë. Duam t’i japim kënaqësi nga shumë pikëpamje. Fillimisht për lojtarët do të jetë tronditje, por kur të fillojë ndeshja, do të jetë diçka që ti e mban në vete e nuk mendon se çfarë ndodh rreth teje. Nëse ndeshja do të shkojë në mënyrën e duhur, e atmosfera na shtyn, do të marrim padyshim këtë energji e do të vrapojmë me këtë fuqi mbi shpinë. Sepse kjo është shtëpia jonë, shteti ynë, sidomos për lojtarët. Ne duhet të mbrojmë këtë flamur. Kjo është gjithçka, ne luftojmë, do të luajmë për këtë ekip, këtë vend. Nëse luan në Shqipëri apo jo, nuk ka diferencë në këtë pikë, ne përfaqësojmë Shqipërinë dhe duhet të jemi krenarë për këtë”.