Në Berat ka nisur të ndizet sfida me Orikun ende pa ardhur dita e ndeshjes. Arsyeja nuk lidhet vetëm me rëndësinë e përballjes ndaj skuadrës kryesuese të Grupit B, por edhe me situatën delikate ku ndodhet Tomori.
Drejtuesit dhe stafi teknik janë duke u përgatitur intensivisht, duke e motivuar maksimalisht ekipin, me synimin që skuadra të jetë e përgatitur edhe psikologjikisht për një ndeshje ku fitorja shihet si alternativa e vetme reale. Pretendimet e Tomorit në këtë takim nuk lidhen vetëm me objektivin e zonës “play-off”, për të cilin është folur që përpara fazës së dytë. Tashmë po merret gjithnjë e më seriozisht edhe rreziku i mundshëm i rënies në fund të renditjes, një skenar që diktohet kryesisht nga një kalendar mjaft i vështirë.
Beratasit përballen radhazi me skuadra pretendente për ngjitjen në Kategorinë e Parë, duke e bërë çdo pikë jetike. Humbja e pësuar ndaj Partizanit B ishte testi i parë ndaj një rivali pretendues. Kalendari vijon me Orikun në shtëpi këtë javë, më pas një transfertë ndaj Bylisit B, pritja e Butrintit në Berat dhe sërish një tjetër ndeshje jashtë fushe. Një seri përballjesh që e detyron Tomorin të “shtrëngojë dhëmbët” dhe të mos gabojë, sidomos në ndeshjet në shtëpi.
Prononcimi i trajnerit
Pikërisht për këtë sfidë ka folur edhe trajneri Klodian Arbëri, i cili në një prononcim për “Panorama Sport” ka dhënë një mesazh të qartë dhe të drejtpërdrejtë për kundërshtarin e radhës, duke mos nguruar të përcjellë edhe disa “thumba” drejt skuadrës bregdetare. “Me gjithë keqardhjen e madhe për humbjen ndaj Partizanit B në minutat e fundit, kemi nisur menjëherë një mobilizim maksimal për ndeshjen me Orikun.
Jemi të detyruar të fitojmë këtë përballje, pavarësisht vlerave që ka kundërshtari, i cili vjen në Berat si kryesues i grupit. Them të detyruar, sepse kemi një kalendar shumë të fortë përpara dhe pikët, sidomos në shtëpi, janë të panegociueshme për objektivat tanë. Kemi respekt për Orikun, por nuk duhet harruar se edhe në fazën e parë u kemi marrë pikë në shtëpi.
Kur ata nuk arrijnë të fitojnë as ndeshjet në fushën e tyre, siç ndodhi edhe javën e kaluar, atëherë në Berat nuk kemi ndërmend t’ua japim këtë mundësi. Ne kemi nevojë jetike për pikët maksimale. Skuadra po punon me ritëm të lartë dhe dua t’i bëj thirrje tifozëve tanë që të na mbështesin maksimalisht. Na duhet një stadium i ndezur, një atmosferë që ta shtyjë ekipin drejt fitores. Nuk kemi rrugë tjetër”, përfundoi tekniku beratas, Klodian Arbëri. Me këtë mesazh, trajneri i Tomorit kërkon të “karikojë” jo vetëm skuadrën, por edhe tifozerinë vendase, në prag të një përballjeje që pritet të jetë vendimtare për ecurinë e sezonit.