Kulturë

Tronditja e Reshat Arbanës, nga ikja e mikut të tij Zhani Ziçishti

Nga Ilir Çumani – Sot në mëngjes, më merr në telefon miku im i vyer, aktori i madh i skenës dhe ekranit shqiptar, Reshat Arbana. Zëri i tij vinte i rënduar, i përthyer jo vetëm nga pesha e viteve dhe brishtësia e shëndetit, por edhe nga tronditja e thellë që i ka shkaktuar lajmi për largimin nga jeta të kolegut dhe partnerit të tij në art, Zhani Ziçishti.

Ishte një telefonatë jo nga ato të zakonshme që shpeshherë zhvillojmë me Bacë Reshatin, por një telefonatë që mbartte dhimbje për ndjesinë që përcjell një humbje që nuk i përket vetëm familjes biologjike, por edhe asaj shpirtërore që krijohet mes artistëve në skenë e në jetë — në ato bashkëpunime që mbeten të gdhendura në kujtesën kolektive përmes filmave si “Fijet që priten”, “Nga mesi i errësirës”, “Rikonstruksioni” e të tjerë, ku ata kanë ndarë jo vetëm role, por edhe përvoja të bukura, kohë, përkushtim dhe besim të ndërsjellë artistik.

Me një zë që i dridhej lehtë, sikur të donte të mbante pezull një emocion që i shpëtonte përtej kontrollit, ai më përcolli një kërkesë njerëzore:

“I dashur Ilir, jam i pamundur të jem i pranishëm në këtë moment për të çuar një buqetë me lule dhe për të ngushëlluar familjen e Zhanit tonë… Të lutem, përcilli nga ana ime ngushëllimet më të sinqerta…”

Në atë çast, ndjeva se nuk ishte vetëm një mesazh ngushëllimi që më besohej për ta përcjellë unë, por një gjest si një amanet njerëzor. Një dëshmi e rrallë e asaj lidhjeje të padukshme, por të fortë, që lind mes artistëve të mëdhenj — një solidaritet i heshtur që nuk ka nevojë për skenë, as për projektorë apo për duartrokitje.

Sepse në fund të fundit, arti i vërtetë nuk qëndron vetëm në rolet që interpretohen, por në mënyrën se si artistët dinë të jenë pranë njëri-tjetrit në skenën më të vështirë të jetës: në çastet e humbjes.

Dhe kjo ndjesi — që një artist i madh përkulet me dhimbje përpara ikjes së një artisti tjetër po aq të madh — është ndoshta forma më fisnike e respektit që mund të ekzistojë në botën e artit.

Tiranë, e ejnte – 26 shkurt, 2026

Mund të jetë një imazh bardhezi i fëmijë dhe Muri Perëndimor

Mund të jetë një imazh bardhezi i shah

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.