Rajon

Trupi pajetë i Faton Hajrizit mbahet ‘peng’ nga serbia, avokati: Ja çfarë kërkon policia, nuk është lejuar as e ëma

Avokati Arianit Koci, i cili po qëndron në Serbi me qëllim që të kthejë trupin e Faton Hajrizit, të vrarë nga policia serbe, ka thënë se zyrtarët e Serbisë kanë kërkuar analiza shtesë për ta identifikuar trupin e Hajrizit.

Koci ka thënë se autoritetet serbe kanë kërkuar që të bëhet analiza e pështymës së Faton Hajrizit për të parë lidhjen gjenetike. Kjo pasi sipas arsyetimeve të zyrtarëve serbë, shenjat e gishtërinjve janë përputhur pjesërisht dhe jo tërësisht.

“Sot ka qenë një ditë intensive. Nga mëngjesi jam në takim me polici dhe prokurori dhe si përfundim tash e pata një kërkesë pak të çuditshme për momentin për shkak se tani po kërkohet që të merret pështyma e nënës së Fatonit në mënyrë që aty të merret materiali gjenetik dhe të krahasohet më pas me materialin gjenetik të Fatonit. Unë e kërkova arsyen pse tani në këtë faze dhe pse nuk është kërkuar menjëherë në fillim”, tha Koci, për mediat.

“Sipas policisë thanë që shenjat e gishtërinjve, shenjat papilare nuk po përputhen tërësisht, pjesërisht përputhen. Si duke ka dëmtim të duarve ose nuk dua të spekulojë në atë drejtim edhe kërkuan që të martën të vijë nëna e tij në stacionin e parë të policisë, vijnë ekspertët e tyre ia marrin pështymën dhe sekretin prej hundës dhe pastaj vazhdojnë tutje me analizat e tyre”, tha ai.

Më tej, avokati deklaroi se ata nuk kanë pranuar që të shihet kufoma e Hajrizit për shkak se, sipas tyre, është e mbyllur hermetikisht për shkak të dëmtimeve. Shikimi i trupit të tij nuk do t’i lejohet as nënës së Faton Hajrizit.

“Unë kërkova që nëse vjen zonja në Serbi të paktën ta shoh trupin e djalit të saj. Pas bisedimeve ata thanë që jo pasi trupi është I mbyllur hermetikisht dhe ka dëmtime”, tha tutje ai.