Kontaktet mes Igli Tares dhe Milanit nuk janë ndërprerë kurrë. Në shtëpinë kuqezi, prej muajsh tema e drejtorit të ri sportiv është në qendër të diskutimeve. Gjithçka nisi kur Xhorxhio Furlani, në një intervistë për “Sportmediaset”, deklaroi se klubi kishte dëshirë të mbështetej te një “drejtor sportiv tradicional”.
Që prej atij momenti nisi një proces i vërtetë përzgjedhjeje, me emra si Paratiçi, Tare, Sartori, D’Amiko, Mana dhe së fundi Kongerton, që u ngjitën dhe ranë në listën e preferencave të Milanit, si titujt në bursë.
I vetmi emër që nuk është zhdukur kurrë nga lista është ai i Igli Tares. Ish-drejtori i Lacios është një kandidat shumë serioz për të marrë postin e drejtorit sportiv kuqezi. Nuk ishte rastësi që shqiptari u pa në “Olimpico” gjatë finales së Kupës së Italisë, të humbur nga Milani ndaj Bolonjës. Në orët e fundit ka pasur kontakte telefonike mes palëve, teksa është rënë dakord të rifillohen bisedimet së shpejti.
Që në fund të prillit ka pasur dy takime mes Tares dhe administratorit të deleguar të Milanit, Xhorxhio Furlani, ku është diskutuar për projektin kuqezi të së ardhmes. Pastaj një heshtje e gjatë, pjesërisht për shkak të reflektimit dhe diskutimeve të brendshme në klub rreth një vendimi që konsiderohet jetik për të ardhmen, pjesërisht për të mos shpërqendruar skuadrën nga finalja e Kupës së Italisë.
Tani që sezoni ka përfunduar “de facto”, ka ardhur momenti i vendimeve. Nuk janë planifikuar ende takime të reja për të formalizuar marrëveshjen, por pas kontakteve telefonike, ka një klimë optimizmi që marrëveshja do të mbyllet me sukses.
Vetë Tare nuk e ka fshehur kurrë dëshirën e tij për Milanin. Shqiptari është jashtë skenës prej pak vitesh, në pritje të një thirrjeje nga një klub i madh, si Milani. “Milani është një objektiv për këdo. Të punoja për një klub historik dhe me lavdi si ky do të ishte nder”, – ka deklaruar ai për gazetën “La Stampa”.
Tani, qëllimi është shumë pranë. Milani kërkon ta mbyllë sa më shpejt çështjen e drejtorit sportiv, për të caktuar më pas trajnerin e ri, që do ta udhëheqë skuadrën. Sepse koha po shtrëngon. Për të reaguar pas një sezoni zhgënjyes, është e nevojshme të niset sa më shpejt me programimin e asaj që vjen.