Avokati Kujtim Cakrani është sulmuar mesditën e sotme rreth orës 13:30, teksa ndodhej në ambientet e një karburanti në qytetin bregdetar.
Sipas deklarimeve të vetë Cakranit, ngjarja ka ndodhur në momentin kur ai po furnizonte automjetin me karburant. Dy persona, të panjohur për të, e kanë ofenduar fillimisht me fjalë, ndërsa shkaku i përplasjes dyshohet të ketë qenë një parkim, megjithëse avokati shprehet se nuk beson se ky ka qenë motivi real i sulmit.
Pas përshkallëzimit të situatës, dy të rinjtë kanë kaluar në dhunë fizike, duke e goditur avokatin me një mjet prerës në pjesën e pasme të kokës. Si pasojë, Cakrani ka pësuar një frakturë të rëndë dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ndodhet i shtruar në repartin e reanimacionit.
Burime nga spitali bëjnë me dije se ai ka dëmtime serioze në kokë dhe aktualisht nuk është në gjendje të qëndrojë në këmbë.
Në spital pritet mbërritja e ekspertëve mjeko-ligjorë dhe e përfaqësuesve të policisë, të cilët do të marrin dëshminë e tij, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes janë në vijim.
“Ishin dy çuna me një makinë, të cilët pasi më provokuan, më dhunuan fizikisht. Nuk i njoh ata. Me njërin po bisedoja, tjetri më goditi pas koke. Ka ndodhur në hyrje të Vlorës, në një pikë karburanti. Nuk e kam idenë. Erdhën aty provokuan dhe më pas filluan me fjalë fyese. Ata dolën nga makina, më dhunuan.
Ka qenë me mjet prerës. Më goditën pas koke. Unë isha ulur në makinë. Njëri nga dritarja po më ofendonte, kurse tjetri hyri nga dera e pasagjerit dhe më goditi.
Më thanë: ‘Pse ke parkuar keq makinën. Ke zënë gjithë karburantin’. Pra ishte një mënyrë, një formë provokimi. Nuk i njoh të dy. Ishin moshë e re”, tha Cakrani për TCh.