Ish-kandidati i “Nisma Shqipëria Bëhet”, Ergys Isufi, ka reaguar lidhur me ngjarjen e djeshme ku ai u kap në flagrancë nga policia me një dozë kokaine.
Në reagimin e tij, Isufi ka kërkuar ndjesë për publikun dhe veçanërisht për kolegët e ‘Shqipëria Bëhet’. Ai thekson se nuk është përdorues droge ndërsa shprehet se shumë qytetarë e njohin që ai nuk ka qenë i implikuar në çështje penale dhe përdorimin e lëndëve narkotike.
Isufi ka falënderuar në fund Policinë e Shtetit që nuk u bë pjesë e një dashakeqësie dhe inskenimi.
“Lidhur me situatën aktuale ndjej detyrimin moral t’ju kërkoj një ndjesë të thellë publikut shqiptar, qytetarëve të Sarandës, familjes time, miqve të mi, shokëve të mi, por mbi të gjitha gjithë kolegëve të ‘Shqipëria Bëhet’. Falënderoj ata për mundësinë dhe besimin që treguan që unë të jem pjesë e listës për deputet në zgjedhjet e majit 2025. ‘Ti nuk je për politikë’ kam dëgjuar unë gjatë gjithë këtyre ditëve.
>
Mirëpo unë kam ardhur këtu për politikë, kam ardhur këtu të kontribuoj me parimet, bindjet dhe besimin tim, duke qenë pjesë e kësaj lëvizjeje me qëllim që Shqipëria të bëhet. Politika veproi në mënyrën e saj 35-vjeçare. Por unë nuk do të doja që askush të dekurajohet dhe aq më tepër që përgjegjësia të kalojë mbi lëvizjen ‘Shqipëria Bëhet’.
Ju lutem, ju më njihni, unë kurrë nuk kam qenë i implikuar as me çështje penale, as me çështje morale, dhe aq më tepër me përdorimin apo tregtimin e lëndëve narkotike. Unë jam sot i lirë dhe meritoj të jem i lirë, sepse për këtë edhe falënderoj gjithë oficerët e Policisë së Shtetit që treguan profesionalizëm. Edhe nëse ata do të bëheshin pjesë e një dashakeqësie të inskenuar, nuk dihej si do të ishte fati im sot. Mbështesni lëvizjen ‘Shqipëria Bëhet’. Më falni, më falni”, u shpreh ai.