Sport

U kthye mes flakëve për të shpëtuar të dashurën, kush është futbollisti hero që po lufton me jetën pas zjarrit në Krans-Montana

Tahiris dos Santos, futbollisti 19-vjeçar i klubit francez të Metz, është një nga personat e lënduar rëndë në ngjarjen tragjike në Krans Montana të Zvicrës. Në natën e ndërrimit të viteve, një bar në këtë vend turistik, u përfshi nga flakët duke shkaktuar mbi 40 të vdekur dhe mbi 100 të plagosur mes personave që gjendeshin brenda tij.

Kristof Huto, menaxheri i futbollistit, ka zbuluar fillimisht se lojtari ishte në gjendje të rëndë, pasi kishte pësuar djegie në 30% të trupit, ashtu si edhe e dashura e tij me të cilën kishte qenë në lokal. Më pas ai ka zbuluar se pikërisht sakrifica për të shpëtuar të dashurën kishte bërë që futbollisti të merrte këto plagë të rënda.

Tahiris gjendej në katin e parë të lokalit në momentin kur shpërtheu zjarri. Ai ia kishte dalë të largohej nga lokali, por kishte parë se e dashura e tij kishte mbetur ende brenda. Kështu që ai është futur përsëri brenda për ta nxjerrë nga flakët. Përtej faktit se është viktimë, Tahiris është gjithashtu edhe një hero, këtë mund ta themi me plot gojë”, shpjegoi menaxheri i futbollistit francez.

Sot, Tahiris Dos Santos po përballet me sfidën më të madhe të jetës së tij, larg fushave të blerta. Ai ndodhet i shtruar në një klinikë të specializuar në Gjermani, ku po trajtohet për djegie të rënda në kafkë dhe në pjesën më të madhe të trupit.

Klubi i Metzit bëri të ditur se lojtari i tyre i ri “po lufton mes vuajtjesh”, ndërsa mjekët mbeten të rezervuar, pasi ditët e para janë vendimtare për të shmangur infeksionet. Megjithatë, ka shenja inkurajuese. “Fola shkurt me të, duke i thënë se të gjithë janë me të,” tregoi Huto.

Se kush është Tahiris Dos Santos, e tregon edhe reagimi i menjëhershëm i botës së futbollit. Klubi i Metzit është tronditur nga ngjarja, por njëkohësisht është bashkuar rreth lojtarit dhe familjes së tij, duke treguar një solidaritet të rrallë.

Sipas agjentit të tij, në mbi 30 vite karrierë, një mbështetje e tillë është e pazakontë. Klubi po punon që, sapo të jetë e mundur, Tahiris të transferohet më pranë shtëpisë, në “Spitalin Mercy”, ku e pret një proces i gjatë rehabilitimi.

Historia e Tahiris Dos Santos nuk është vetëm një tragjedi, por dëshmi e karakterit dhe guximit të një të riu që, përtej futbollit, zgjodhi jetën dhe dashurinë.