Flamur Noka, sekretar i Përgjithshëm i PD-së, ka reaguar pasi Policia e Tiranës njoftoi se ka nisur procedimin në gjendje të lirë ndaj tij, pas përpplasjes që pati në një prej qendrave të votimit në Vorë.
Noka shkruan në rrjetet sociale se është proceduar sepse preku interesat e mafies së pushtetit në Vorë.
“Sot jam proceduar penalisht me akuzën e veprës penale “Kanosja/dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Ftoj të gjithë qytetarët të shikojnë në faqen time videolajmin e arrestimit nga policia të shtetasit Xhoni Asllanaj, me të cilin sot u përballa në qendrën e votimit në #Vorë!
Xhoni Asllanaj është nipi dhe shoferi i Albert Xhabaftit të Vorës dhe është i skeduar për vjedhje dhe armëmbajtje pa leje.
Në videolajmin e Report TV-së vite më parë përmendet se Asllanaj u ndalua së bashku me dy persona të tjerë, ku një prej tyre me inicialet A.K, 44 vjeç. A.K është Albert Xhabafti dora vetë.
Kjo fuoristradë që shihni në foton e bashkëlidhur ndodhet sot në oborrin e tij. #Policia e ushtarit të krimit #Proda, e nënshtruar nën urdhërat e Albert Xhabaftit, procedon penalisht Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demeokratike, Flamur Nokën, pse ky i fundit kërkoi që Albert Xhabafti dhe nipi e shoferi i tij të largoheshin nga qendra e votimit.
Të nderuar qytetarë! Ju ftoj të mos bini pre e keqinformimit dhe propagandës së mediave që paguhen nga kompania e inceneratorëve! Policia e Shtetit e komanduar nga banditi Proda, ndonëse e njeh mirë skedën e Xhoni Asllanajt, e cilëson si “qytetari që u pengua” në qendrën e votimit, sepse ashtu i leverdis partisë që po humbet pushtetin.
Fitorja mbi pushtetet e kapura dhe të kalbura do të jetë e qytetarëve të vërtetë!”, shkruan Noka.