Gazetarja Klodiana Lala, ka qenë e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku u diskutua hetimi i nisur nga SPAK për pasurinë e Veliajt dhe familjarëve të tij.
Lala tha se SPAK po verifikon llogaritë dhe informacione për Veliajn dhe familjarët e tij në banka dhe disa institucione të tjera, si tatimet dhe kadastra. Ajo deklaroi se SPAK ka sekuestruar edhe telefonat e personave të afërt të Ajola Xoxës, bashkëshortes së Veliajt.
Sipas gazetares Lala, SPAK mund të verifikojë edhe persona të tjerë pranë Veliajt, si miq, biznesmenë, etj.
Është ende e paqartë nëse këto veprime të SPAK kanë ardhur në kuadër të hetimeve për dosjet e inceneratorit të Tiranës dhe 5D, apo për një procedim të ri.
“Ka një hetim pasuror për zotin Veliaj. U është dërguar shkresë disa institucioneve. Kemi siguruar shkresën që u është dërguar bankave për Veliajn, bashkëshorten, vellanë dhe nënën. Gjithashtu kërkohen transaksionet e tyre në dhjetë vitet e fundit. Është kërkuar informacion për kreditë, nëse ka të tilla. Është kërkuar edhe pranë zyrave të kasastrës, për të parë nëse Veliaj dhe familjarët zotërojnë pasuri.
Është kërkuar informacion edhe nga tatimet, që lidhen me një kompani që zotëron zonja Xoxa, që ka një kompani që jep shërbime të ndryshme. Janë bërë sekuestrime celularësh, personave shumë pranë zonjës Xoxa. Ky hetim është çelur vetëm pak ditë pasi zoti Veliaj është pyetur në SPAK për inceneratorin e Tiranës.
Në shkresë, thuhet Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedim penal. Kjo është situata. Prokuroria e Posaçme, do të ketë edhe kërkesë për ndihmë jashtë vendit për të parë udhëtimet e Veliajt, personat që e kanë shoqëruar, shpenzimet, njësitë hoteliere, etj.
Më herët SPAK firmosi urdhër arrest për ish zv.kryeministrin Ahmetaj, nisur vetëm nga pasuria dhe sot është në kërkim ndërkombëtar.
Hetimi pasuror, është një hetim, nuk janë vetëm këto katër emra. Hetimi pasuror, shtrihet edhe mbi personat që janë të bashkëlidhur. Mund të jenë edhe persona të afërt, miq, të besuar, bashkëpunëtorë, biznesmenë.
Ajo çfarë Prokuroria e Posaçme nuk pranon ta konfirmojë, është se si ky hetim është nisur. Ka patur referim nga institucione shtetërore? Është nisur kryesisht? Apo ka patur sinjalizim nga bankat?”, tha Lala.