Deputetja e Partisë Socialiste, Ilva Gjuzi u shfaq këtë të martë në mbledhjen e Komisionit për Burimet Natyrore dhe Infrastrukturën së bashku me foshnjën e saj.
Prezenca e saj në Komision me Blinin me vete tërhoqi jo pak vëmendjen e mediave dhe të publikut, pasi i hasën me një pamje e cila mund të themi që është e rrallë për në Shqipëri.
Së fundmi ka folur vetë deputetja duke bërë me dije se vogëlushi i saj është vetëm 38 ditësh dhe se duhet që ta marrë me vete.
“Patjetër që Blini ishte i mirëpritur dhe më vjen mirë që mirëkuptohet mëmësia në hapësirat e Kuvendit, si një detyrë që nuk e shkëpusim dot nga realitetin tonë.
Kishim disa çështje të rëndësishme për të diskutuar sot, Blini mori vëmendjen e tij aq sa duhej, e më pas vijuam dhe u fokusuam në mbledhje. Blini do vazhdojë të jetë më mua sepse është vetëm 38 ditësh. Deri sa të rritet dhe pak, do ia ‘delegoj nonës’”, tha për “Shqipëria Live”.
Gjuzi nuk është e vetmja që ka bërë këtë “sakrificë” për të marrë pjesë në mbledhjen e komisionit i cili ditën e sotme u konstituua. Më herët edhe deputetja Hanna Steinmüller shkoi në Bundestag me foshnjën e saj në krahë dhe u bë kryefjalë në mediat e huaja. Steinmuller, nga Partia e Gjelbër, po mbante djalin e saj të vogël kur mbajti një fjalim në Bundestag.
“Kjo nuk ishte e planifikuar. E solla djalin tim vetëm sepse po flinte. Mendova, nëse ia kaloj një kolegu tani, do ta zgjoj”, tha ajo.