Aktualitet

U vra në sallën e gjyqit, familja kërkon që Astrit Kalaja të shpallet “Dëshmor i Atdheut”

Familja e gjyqtarit Astrit Kalaja, i vrarë në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë, ka kërkuar që ai të shpallet “Dëshmor i Atdheut”. Kërkesa është depozituar nga bashkëshortja e tij pranë institucioneve shtetërore, duke kërkuar nisjen e procedurave përkatëse nga Ministria e Drejtësisë.

Në dokumentet e publikuara nga “TCH” thuhet se gjyqtari, i cili kishte një karrierë 32-vjeçare në sistemin e drejtësisë, u vra gjatë ushtrimit të detyrës, në momentin kur po shpallte vendimin në emër të Republikës.

“Gjyqtari u vra në sallën e gjyqit gjatë shpalljes së vendimit në emër të Republikës, nga një palë në proces që nxori armën dhe e qëlloi menjëherë pas shpalljes së vendimit”, thuhet në kërkesën e familjes.

Familjarët argumentojnë se rendi dhe siguria në vend nuk garantohen vetëm nga forcat e policisë, por edhe nga institucionet e drejtësisë. Ata kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen edhe Komisionit Qendror të Statusit të Dëshmorit, çka mund të hapë rrugë edhe për një proces gjyqësor në Gjykatën Administrative nëse kërkesa nuk merret parasysh.

Gjyqtari Astrit Kalaja u vra nga Elvis Shkëmbi, xhaxhai i të cilit ishte palë në një proces gjyqësor që kishte nisur prej disa vitesh në Shkodër. Aktualisht, dy personat e dyshuar për përfshirje në këtë krim ndodhen në burg.

Hetimet për ngjarjen nuk janë mbyllur ende, pasi Prokuroria e Tiranës është në pritje të ekspertizës së telefonit të njërit prej të dyshuarve për të përcaktuar nëse ka pasur bashkëpunim mes tyre në organizimin e krimit.

Vrasja e gjyqtarit Kalaja riktheu në vëmendje problematikën e sigurisë në institucionet e drejtësisë. Më herët janë raportuar edhe raste kërcënimesh ndaj trupave gjyqësore gjatë shpalljes së vendimeve, ndërsa për një prej këtyre rasteve është hapur edhe një proces gjyqësor ndaj autorit të dyshuar. Megjithatë, sipas raportimeve, kushtet e sigurisë në gjykata vijojnë të mbeten të pandryshuara.