Sport

U zyrtarizua te Bylisi 2 ditë më parë, sulmuesi i ardhur nga Greqia debuton me dopietë

Bylisi vetëm 2 ditë më parë prezantoi lojtarin më të ri në Ballsh. Alexandros Baçi, i cili u soll nga Greqia nuk vonoi dhe trregoi se çfarë talenti mallakastriotët arrinin të siguronin.

20 vjeçari erdhi nga Asteras Tripoli drejt e në Superiore falë ndërmjetësimit të Niko Zisit, ish-futbollist në “Adush Muça”. Talenti shqiptar i cili ende nuk e ka ndarë mendjen se kë kombësi do të përfaqësojë është rritur tek akademia e Asterasit. Kjo akademi është një ndër më të mirat në vendin fqinj. Kujtojmë që sulmuesi ka përfaqësuar Greqinë në kombëtaret e moshave.

Teksa u afrua nga ballshiotët pardje, Baçi zbriti direkt në fushë ditën e djeshme. Duke qenë se mosha e lejon, shqiptari debutoi me fanellën e kuqe në Superioren U-21. Në sfidën ndaj Elbasanit zhvilluar në kompleksin “Shefqet Lamçja”, Alexandros shënoi dopietë në minutat e 22-të dhe 42-të. Në fitoren 1-3 ndaj elbasanasve, lojtari më i ri në radhët e Bylisit tregoi klas me shënimet brenda 20 minutash.

Mesa duket, Bylisi e ka studiuar më së miri këtë djalosh që pritet të sjellë gola të shumtë në Ballsh. Presidenti Kapllanaj shquhet për projektet ambicioze dhe besimin në elementin e ri, ndaj sulmuesi Baçi me origjinë nga Berati do të keët mundësinë të shkëlqejë në aventurën e aprë në Superiore.