Politikë

Udhëzimi/ Berisha vë në rresht deputetët: Nuk do të dilni në asnjë emision pa marrë leje!

Kryedemokrati Sali Berisha, iu ka komunikuar deputetëve dhe anëtarëve të Kryesisë me anë të një mesazhi zyrtar se nuk mund të dalin me emisione televizive pa lejen e tij dhe përballë analistëve.

Berisha u shkruan se opozita nuk duhet dhe nuk do ta lejojë qeverinë që ta përdorë atë si maskë në mediat që kontrollon, për të fshehur vjedhjet, keqbërjet dhe aferat e saj si organizatë kriminale.

Po ashtu thekson se çdo intervistë, lidhje direkte apo prononcim që lidhet me aferat e qeverisë, korrupsionin, skandalet etj., duhet shfrytëzuar maksimalisht.

Për të gjitha ftesat nga studiot televizive duhet të njoftoni Drejtorinë e Shtypit, kjo, së pari, për të marrë prej zyrës së shtypit mesazhin e ditës së PD dhe, së dyti, për të mos lejuar “peshkimin” e mediave të kontrolluara nga qeveria, të cilat, sapo refuzohen për motivet e mësipërme nga i ftuari i parë, ftojnë të tjerë për të zbatuar porositë e zyrës së propagandës së kryeministrit.”-thuhet ndër të tjera në mesazh.

Mesazhi i plotë i Sali Berishës:

Mesazh drejtuar anëtarëve të Kryesisë së PDSH, deputetëve të Grupit Parlamentar të PDSH, anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PDSH, drejtuesve dhe anëtarëve të departamenteve qendrore të PDSH, drejtuesve të degëve të PDSH.

Përshëndetje të nderuar zonja dhe zotërinj,

Me këtë mesazh ju rikujtoj se Kryesia e PDSH dhe Grupi Parlamentar i PD kanë vendosur si më poshtë:

1-Përfaqësues të PD do të dalin në debate/emisione televizive vetëm me counterparts të tyre (pra me të ngjashmit politik) që përfaqësojnë qeverinë, Partinë Socialiste dhe institucionet e tyre të varësisë.

Përfaqësues të PD, qofshin anëtarë të KK, departamenteve, sekretariateve, Kryesisë, Grupit Parlamentar, pushtetit lokal etj., nuk dalin në debate me analistë ‘të pavarur’ të cilët shërbejnë si zëvendësues (proxy) të qeverisë dhe njerëzve të saj ne studiot televizive dhe si mercenar te paguar nuk mbajne asnje përgjegjësi për mashtrimet, manipulimet,fallsifikimet e tyre per te mbrojtur qeverine.

Perveç kesaj qeveria, me ndihmën edhe të disa moderatorëve, e ka gjetur këtë si mënyrë për ta mbajtur debatin te opozita, duke vënë përballë vazhdimisht ‘analistë të pavarur’, një pjesë e mirë e të cilëve janë në role këshilltarësh apo drejtorësh në zyrat e shtetit, apo autor veprash penale eme përfaqësues të opozitës dhe për të mbuluar me heshtje aferat e qeverisë.

Opozita nuk duhet dhe nuk do ta lejojë qeverinë që ta përdorë atë si maskë në mediat që kontrollon, për të fshehur vjedhjet, keqbërjet dhe aferat e saj si organizatë kriminale.

Ndërkohë, çdo intervistë, lidhje direkte apo prononcim që lidhet me aferat e qeverisë, korrupsionin, skandalet etj., duhet shfrytëzuar maksimalisht.

Së fundmi, për të gjitha ftesat nga studiot televizive duhet të njoftoni Drejtorinë e Shtypit, kjo, së pari, për të marrë prej zyrës së shtypit mesazhin e ditës së PD dhe, së dyti, për të mos lejuar “peshkimin” e mediave të kontrolluara nga qeveria, të cilat, sapo refuzohen për motivet e mësipërme nga i ftuari i parë, ftojnë të tjerë për të zbatuar porositë e zyrës së propagandës së kryeministrit.

Ky vendim do t’ju përcillet edhe partive aleate, në mënyrë që qëndrimi të jetë i përbashkët.

Përshendetje të perzemerta,

Me respekt Sali Berisha