Politikë

“Unë pa gruan jam ndërtim pa leje”, Rama ironizon kundërshtarët: Na ishin mërzitur pse u thashë burrave ‘çyrykë’!

Në vazhdën e fushatës, Edi Rama është ndalur sot në një takim me gratë e vajzat e qarkut Lezhë.

Kreu i PS e vuri sërish theksin te forca e grave dhe vajzave në politikë, ndërsa tha se është krenar që PS ka futur në familjen e vet kaq shumë.

Duke u ndalur te batuta që bëri dje kur tha se gjysma e burrave janë çyrykë, ai tha se ‘na qenkan mërzitur këta’ për këtë përshkrim, duke iu referuar kundërshtarëve të tij politikë. Ai ka vijuar sërish më tej ironinë dhe batutat, duke treguar dhe ‘recetën’ sesi të tregojnë burrat nëse janë ose jo ‘çyrykë’.

“Janë mërzit si u thotë Rama gjysmat e burrave janë çyrykë, mbase janë më shumë, por unë them gjysmat. Nëse s’do ishin çyrykë e di ku ishte Shqipëria sot? Se burrat e kanë pas në dorë për një kohë shumë të gjatë.

A është normal një burrë që shkon dhe hidhet në kënetë me kokë? Kush thotë se nuk është çyryk, duket të deklarojë se nuk është me kënetën por me BE.

Nëse thotë që jam me kënetën e ka thënë me fjalët e veta që është çyryk. Tani do t’u vijë keq? Ç’a të them unë. Këta nuk e pranojnë humorin, janë një gjendje të të marrin me libër shpie, dhe u duket një gjë normale, po t’ua kthesh me të njëjtën mënyrë nuk është se u bën shumë përshtypje, por po të bësh humor me ta, çmenden. Kështu ua dhashë recetën sesi ta diagnostikoni nëse është çyryk apo jo.

Këta as nuk e pranojnë. Unë e pranoj, unë pa gruan time jam si ndërtim pa leje”, tha Rama.