Bota

Uragani “Kirk” prek rëndë Europën! Ndërprerje masive energjie, kaos dhe dëme masive

Kjo javë, aspak e qetë për Europën, ka sjellë në disa shtete uraganin “Kirk”, e cila ka shkaktuar dëme të shumta.

Shtetet më të prekura nga stuhia janë Franca, Portugalia dhe Spanja. Franca është i vetmi shtet që ka shënuar viktima, pasi një marinar ndërroi jetë, ndërsa një person tjetër u dërgua në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.

Rreth 64,000 persona në jug të Francës mbetën gjithashtu pa energji elektrike, ndërsa disa departamente raportuan se niveli i  ujit në rrugë ishte rritur ndjeshëm.

Parashikuesit e motit raportuan se stuhia ka sjellë në tokë një sasi shiu, të barabartë me kapacitetet e një muaji. Shërbimet shtetërore janë në gatishmëri, ndërsa qeveria i kërkoi qytetarëve që të kenë kujdes.

Autoritetet vendosën alarmin e kuq për përmbytje, pasi shiu fryu lumin një degë të lumit Sena, që përshkon kryeqytetin francez.

Nga ana tjetër autoriteti i mbrojtjes i Portugalisë raportoi më shumë se 1,300 incidente gjatë natës.

Porto, qyteti kryesor verior, u godit më rëndë, me 400 pemë të rrëzuara. Makinat u dëmtuan gjithashtu dhe shërbimet hekurudhore u ndërprenë në disa vende.

Uragani gjithashtu ndërpreu energjinë në më shumë se 300,000 familje, teksa shpejtësia e erës arriti në 120 kilometra në orë.

Zyrtarët spanjollë të motit lëshuan një alarm portokalli për veriun dhe veriperëndimin e vendit, teksa erërat arritën deri në 140 kilometra në orë në rajonin e Asturias.

Nuk kanë munguar as rrëshqitjet e baltës dhe pemët e rëna në zonat urbane, duke bllokuar rrugët.