Uragani Milton e preku tokën si stuhi e kategorisë 4, nga 5 që ishte fillimisht, por sërish mjaftueshëm e fuqishme sa për të mbjellë kaos e shkatërrim në rrugën e tij.
Me erëra që mbërrinin shpejtësinë 200 km/h, Milton shkatërroi me një të kaluar çatinë e stadiumit të bejsbollit të Tampas, e shënjoi afrimin e tij me përmbytje rekord e disa tornado vdekjeprurëse që rrafshuan më shumë se 100 shtëpi në kontenë St. Lucie County dhe morën disa jetë njerëzish. Një bilanc të qartë të viktimave, ende nuk ka…
Milton është stuhia e tretë me shpejtësinë më të madhe të regjistruar në oqeanin Atlantik që mbërrin në bregun perëndimor të Floridës, duke kërcënuar jetët e banorëve dhe me përmbytje masive të zonave të ulëta.
Pamjet e qiellit të errësuar dhe automobilistëve që kanë mësyrë rrugët për të shpëtuar kokën, bënë xhiron e rrjetit. Guvernatori Ron DeSantis bëri thirrje për kujdes: “Tani, në këtë pikë, është shumë vonë për një evakuim të sigurt, është tejet e rrezikshme. Prandaj përpiqeni të gjeni strehime e mbylluni brenda”.
Nëpërmjet një fjalimi të transmetuar drejtpërdrejt nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Joe Biden bëri thirrje mbrëmjen e së mërkurës që popullsia të ndjekë të gjitha udhëzimet e autoriteteve, ndërsa pritej që Florida përballet me stuhinë më të rëndë të 100 viteve të fundit.
Pavarësisht uljes së forcës së tij me një shkallë, Biden theksoi se uragani Milton mundet të shkaktojë shkatërrim të gjerë. Ai dënoi ashpër përpjekjet për keqinformim në lidhje me përpjekjet e agjencive qeveritare, duke thënë se “është e dëmshme për ata që kanë nevojë për ndihmë”.
Qendra Kombëtare e Uraganeve njoftoi se “Miltoni mund të vazhdojë të ketë forcën e një uragani të madh dhe se do të mbetet i tillë përgjatë të enjtes ndërsa përshkon Floridan”.
Miltoni lëvizi drejt verilindjes përgjatë Gjirit të Meksikës dhe iu afrua tokës përreth Gjirit të Tampës në Florida, të mërkurën vonë në mbrëmje.
Ujërat jashtëzakonisht të ngrohta në Gjirin e Meksikës këtë vit kanë nxitur rritjen e shpejtë të Miltonit. Ujërat në sipërfaqen e oqeanit kanë arritur temperatura rekord prej rreth 32 gradë Celsius gjatë dy sezoneve të fundit verore, sipas Administratës Kombëtare mbi Oqeanet dhe Atmosferën.