Kulturë

Vajza e Lasgush Poradeci: Bashkia e Pogradecit tallet me babanë tim prej 35 vitesh

Maria Poradeci, vajza e poetit të shquar Lasgush Poradeci, ka treguar indinjatën e saj lidhur me vendosjen e një pllake përkujtimore në Vjenë, në vendin ku poeti ka jetuar për 10 vjet.

Sipas saj, bashkia e Pogradecit nuk e ka përfaqësuar si duhet trashëgiminë e babait të saj dhe ajo nuk ka marrë asnjë ftesë zyrtare për ngjarjen, pavarësisht se informacioni për vendosjen e pllakës i ishte dhënë asaj nga ambasadori shqiptar në Austri.

“Më merr nënkryetarja dhe më thotë: blije biletën, se ta paguan kryetari. I thashë: me kë po flet? Keni për detyrë të më sillni ftesë. Nuk kam dalë për të kërkuar lëmoshë. Nëse e ka organizuar ambasada, le të më sjellë ftesë,” – shprehet Maria.

Ajo shton se, përveç mungesës së ftesës, e ka indinjuar mungesa e respektit të bashkisë së Pogradecit ndaj figurës së babait të saj:

“Kanë 35 vite që sillen në mënyrë mizore me babanë tim. Pallatit të Kulturës iu vu emri ‘Lasgush Poradeci’, por më vonë e zhdukën, i morën niptin dhe vulën. Shtëpia e babait tim nuk u bë muze, por u kthye në hajdutllëk. Vetëm fjalë, gënjeshtra dhe tallje,” – tha Maria.