E bija e guximshme e një drejtori kompanie refuzoi të hapë kasafortën gjatë një grabitjeje të armatosur në shtëpinë luksoze të familjes së saj në Sandbanks në jug të Britanisë. Autori grabitjes Ashley Fulton, 42 vjeç hyri me forcë në shtëpinë e Emily Aitchison dhe nënës së saj Kerry i armatosur në shkurt 2023, i ndihmuar nga tjetër kriminel që hiqej si oficer policie.
Ata rrjedhimisht lidhën nga këmbët e duart dy gratë që ishin vetëm në shtëpi dhe kërcënuan me dhunë ekstreme nëse nuk hapnin kasafortën e familjes. Por Emily refuzoi kërkesat e tyre duke futur gabim kodin e hapjes disa herë, duke e ditur se herën e tretë kjo shkaktonte lëshimin e alarmit për shtëpinë e tyre në bregdetin Poole Harbour. Grabitësit e pikasën alarmin dhe hoqën dorë duke u larguar, u tha në gjyqin e çështjes.
Gjykatësi i Bournemouth tha se Fulton ishte një rrezik i konsiderueshëm për publikun dhe e dënoi me burgim të përjetshëm, por dënimi është shtyrë prej problemeve të tij mendore dhe mjekimeve që ai merr prej tyre.
Grabitësit më pas kishin mbyllur gratë në tualet dhe ishin larguar, por jo para se të merrnin nga shtëpia rreth 200,000 paundë në ora, bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë.
Por ata lanë prapa një seri gjurmësh që më pas ndihmuan policinë t’i identifikonte e t’i lokalizonte.
Policia gjeti gjithashtu porosi online që Fulton kishte bërë për ‘identifikues policie’ që dyshja kishin përdorur për të hyrë në shtëpinë e Aitchison.
Bashkëshorti i zonjës Aitchison, Mark është drejtor i kompanisë Colten Care që zotëron 21 shtëpi kujdesi për të moshuarit në jug të Anglisë.
Fulton dhe bashkëshkëpunëtori i tij kryen grabitjen më 21 shkurt 2023, duke u prezantuar si oficerë policie.
Zonja Aitchison, terapiste e stërvitëse personale, tregoi në gjykatë traumën psikologjike të grabitjes mbi të dhe të bijën.
Ajo tha: “Shtëpia duhet të jetë vendi ku ndjehesh i sigurt, teksa për mua dhe bijën time u bë vendi ku mund të ishim vrarë. Ne nuk jemi më vetvetja prej kësaj eksperience”.
Por ekzekutimi i dënimit është shtyrë tashmë pasi avokati i grabitësit kryesor Hugh Mullan tha se shëndeti mendor i të akuzuarit ishte përkeqësuar muajt e fundit.
Mullan shtonte se klienti i tij merr shumë mjekime por është i aftë të ndjekë procedimet e gjyqit. Gjyaktësi William Mousley pranoi se “do të ishte e gabuar të dënohej në këtë kohë” i akuzuari, i cili ishte dënuar dhe më parë për grabitje, shkruan rrjeti vendas Daily Mail.