Veshja e tëra e zezë e Deas u duk se paralajmëroi dhimbjen dhe vuajtjen e historisë që ajo ndan në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Rrëfimi i saj nis me familjen, e cila përbëhet pesë motra e një vëlla. Kur Dea erdhi në jetë, babai u sëmur nga Parkinsoni dhe nëna u kthye në një heroinë duke u kujdesur për të e për fëmijët.
Në vitin 1985, Dea u martua me mblesëri dhe një vit më vonë, erdhi bekimi i parë, një djalë. 4 vite pas tij, lindi vajza dhe për Dean s’kishte lumturi më të madhe, edhe pse zemrën e kishte të trazuar.
“Në ‘86, Zoti më solli një yll të bukur, djalin tim, Sildi. Unë isha shumë e kënaqur e shumë e gëzuar sa nuk mund t’i shpreh dot emocionet si një nënë e lumtur dhe kur djali mbushi 4 vjet, linda gocën, vajzën time të bukur si drita, Erën. Teksa fëmijët rriteshin, sa më shumë rriteshin e zbukuroheshin, ata ishin të zgjuar, të dashur, punëtorë. Unë isha shumë e lumtur për këta fëmijë pavarësisht se problemet e mia kishin nisur prej kohësh nga bashkëshorti.
Pavarësisht problemeve të tyre, alkoolit e tradhtisë bashkëshortore nga burri, Deas nuk ia bënte zemra t’i shqetësonte fëmijët. Ata ishin dritë për të derisa një ditë, asgjë nuk do të ndrinte si më parë. Dea humbi vajzën 14-vjeçare dhe pikërisht kur mendoi se do të mund të ngushëllohej me djalin, zemra iu vesh përgjithmonë me të zeza.
Dea: Një e mërkurë e zezë e 1 tetorit të vitit 2003, më iku njëri sy, m’u pre një këmbë e një krah, më iku vajza ime e vetme në moshën 14 vjeçe, pa bërë 15.
Çfarë ndodhi?
Dea: Ajo ishte në një gjendje gripale. E morëm, e çuam në spital në Korçë, në pediatri. Atje pati komplikacione, e morën urgjent me ambulancë ta sillnin për në Tiranë dhe ndërroi jetë rrugës. Djali u prek shumë. Kaloi një dhimbje shumë të madhe, mbyllej në vetvete. Unë përpiqesha t’i qëndroja pranë, babai i tij nuk e mori asnjëherë me vete ta mbante pranë që të mos e ndiente mungesën e motrës. Ata ishin shumë të lidhur. Djali kishte shumë ëndrra, punonte përkrah meje por kishte filluar t’i kuptonte se po rritej, kishte filluar t’i kuptonte të gjitha ato çka bënte i ati. Thosha kam një dritë që shkëlqen dhe do të më ndriçojë gjithë botën ky djalë.
Ishte motivi pse merrje frymë.
Dea: Më premtoi, se vazhdoi shkollën e mesme, ç’i shikonte syri, i bënte dora. “Mami, unë do të vazhdoj edhe shkollën e lartë”, tha. Në moshën 20-vjeçare ai kaloi një gjendje të fikëti, atak kardiak. Pasi humba djalin, unë kalova një gjendje shoku. As haja, as pija. Aty përkrah më ndenji nëna ime e cila nuk i dinte marrëdhëniet që kisha unë me bashkëshortin. Unë nuk iu kisha treguar.
Nëna erdhi të jetonte aty me ju?
Dea: Po, që të më mbështeste mua në ato momente.
Pastaj me siguri përjetoi edhe marrëdhënien tuaj.
Dea: Shumë e drejtë. Unë ia kisha bërë të qartë që do të jetoj me kujtimin e fëmijëve të mi. Puthja dorezat e dritareve, atje ishte gjithçka që kisha me kujtimin e fëmijëve./tvklan.al