Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shkundur politikën dhe veçanërisht qeverinë shqiptare. Aksioni në Venezuelë u pa si një mesazh i Trump për shumë liderë të tjerë autoritarë apo të lidhur me drogën. Në Shqipëri pati entuziazëm te opozita dhe heshtje nga ana e kryeministrit shqiptar.
Por mesazhi goditës ka ardhur sot. E Ngarkuara me Punë e SHBA Nancy VanHorn, ka shkuar sot në SPAK ku ka takuar krerët e rinj të SPAK dhe BKH. Ajo ka vendosur të flasë me fjalët e Marco Rubios: ‘Ne do të përballemi me kartelet e drogës kudo që ndodhen’.
“E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn përgëzoi Kryeprokurorin e Posaçëm të SPAK Klodjan Braho, dhe Kreun e BKH Joni Keta për rolet e tyre të reja drejtuese, duke ritheksuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve. Siç ka deklaruar Sekretari Rubio: “Ne do të përballemi me kartelet e drogës kudo që ndodhen dhe kudo që veprojnë kundër interesave të Shteteve të Bashkuara. Detyrimi kryesor i presidentit është të sigurojë interesin kombëtar dhe sigurinë kombëtare të popullit tonë.” Së bashku, ne qëndrojmë të bashkuar në luftën kundër krimit ndërkombëtar”, njofton ambasada e SHBA.