Politikë

‘Veliaj u bë kurban sapo doli në skenë LaCivita’, gazetari: Rama e di që konsulenti amerikan ka informacion për…

Gazetari Elkier Bushkolaj, i ftuar në një emision televiziv, komentoi zhvillimet e fundit politike dhe marrëdhëniet e ndërlikuara të kryeministrit Edi Rama, konsulentit amerikan të PD-së Chris LaCivita dhe implikimet ndërkombëtare që vijnë me praninë e tij në Shqipëri.

Bushkolaj tha se momentin që LaCivita u shfaq në konferencë për shtyp përkrah Sali Berishës, kryebashkiaku Erion Veliaj “u bë kurban i Ramës”, duke nënkuptuar se Rama po përdor Veliajn si mburojë politike.

Sipas gazetarit, LaCivita ka një panoramë të plotë të qëndrimeve dhe veprimeve të kryeministrit Rama në SHBA, përfshirë marrëdhëniet e tij me Presidentin Donald Trump dhe me rrjetin e George Sorosit.

Bushkolaj theksoi gjithashtu se kryeministri është i shqetësuar për informacionet që mund të ketë LaCivita, sidomos për grupet kriminale shqiptare në Ekuador dhe pastrimin e parave përmes sektorit të ndërtimit në Shqipëri.

“Ditën që erdhi ChrisLaCivita në Tiranë dhe mbajti konferencën e parë për shtyp krah z.Berisha, Erion Veliaj u bë kurban i Edi Ramës. Në intervistën që dha për z.Fevziu ChrisLaCivita ishte një moment që tha Edi Rama bëri thirrje në SHBA që mos të dilnin e të votonin. Do të thotë që e ka komplet panoramën e deklaratave dhe të qëndrimeve e të veprimeve të Ramës në SHBA, qoftë në raport me z.Trump apo edhe zhvillimet me Sorosin.

Problemi është se Edi Rama e di shumë mirë që LaCivita ka informacion të plotë për mënyrë sesi ka funksionuar shteti shqiptar duke nisur nga veprimtaria e grupeve kriminale në Ekuador për të cilat vetë kandidati për president i Ekuadorit është shprehur qartazi, që një misionet e mia do të jetë lufta kundër grupeve kriminale shqiptare. Duke parë se çfarë ndodh me pastrimin e parave në ndërtim unë besoj se kjo e shqetëson z.Rama.

Kjo pjesa e luftës së videove është diçka krejt dytësore në raport me atë që pritet të ndodh deri në 11 maj dhe pas 11 majit, që lidhet me zhvillimet konkrete. Do të kemi edhe një zyrë të DEA-së në Shqipëri që lidhet me dy gjëra kryesore trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimin e parave. “ – tha Bushkolaj.