Sport

Vendimi i Egnatias pas dënimit nga Disiplina, ja çfarë planifikojnë rrogozhinasit për ndeshjen e kreut ndaj Elbasanit

Klubi i Egnatias ka marrë një ndëshkim të paprecedent për futbollin shqiptar, teksa i është pezulluar në bllok i gjithë stafi teknik i ekipit. Një situatë e pazakontë, për më tepër në prag të një sfide shumë delikate siç është ajo e të premtes ndaj Elbasanit, një rival direkt për titullin kampion.

Natyrshëm me gjithë stafin e pezulluar, lind pyetja se kush do të drejtojë ekipin në këtë sfidë me shumë rëndësi. “Panorama Sport” ka mësuar nga burime pranë klubit se edhe rrogozhinasit po planifikojnë një vendim të paprecedent për elitën e futbollit shqiptar.

Meqë FSHF i ka pezulluar të gjithë stafin teknik, Egnatia planifikon të paraqitet me një pankinë të boshatisur, duke i lënë drejtimin vetë lojtarëve e pa orientim taktik të mirëfilltë nga një teknik në pankinë. Në raste pezullimesh në grup, zakonisht klubet caktojnë një trajner nga akademia apo ekipi i dytë për të qenë në pankinë. Por rrogozhinasit do ta ndërmarrin këtë veprim edhe si në shenjë proteste ndaj veprimit absurd të Disiplinës.

Në pankinë pritet të ulet vetëm doktori i ekipit, Ervin Karafili dhe përgatitësi atletik Andri Babaj, pasi sigurisht që nevojitet stafi mjekësor për të zhvilluar një takim të tillë. Por nuk pritet të ketë asnjë “udhëzues” teknik për skuadrën në duelin në fjalë, ndonëse është një nga ata që mund të vendosë shumë për fatin e sezonit të rrogozhinasve.