Aktualitet

Vetëvrasjet që nxiten nga “Tik Tok”/ Karamuço: Të vendoset perimetri virtual! Kontroll brenda shkollave dhe telefonave të fëmijëve

“Duhet të ketë departament për monitorime dhe pritjen e ankesave”, kështu është shprehur eksperti i Kriminalistikës, Ervin Karamuço në një intervistë në “Special Report” në ABC News teksa foli për krimet kibernetike.

Gjatë kësaj intervistë, Karamuço u shpreh se situata është bërë shumë shqetësuese dhe se reagimet ndaj këtij fenomeni, janë disi të vonuara. Vetëm pak ditë më parë një 27-vjeçare i dha fund jetës, pas publikimit të një fotoje intime. Por gjithashtu eksperti i Kriminalistikës trajton një tjetër çështje të ndjeshme që prek edhe fëmijët e mitur, pasi shpesh bien pre e provokimeve dhe shantazheve në rrjete sociale.

Ai shtoi se duhet t’i jepet fund fenomenit të hapjes së llogarive false që përdorin fotot të personave të ndryshme për t’i denigruar apo për t’i shantazhuar në forma të ndryshme dhe parandalimi i këtyre situatave që kanë shkaktuar viktima,bëhet me anë të krijimit të një departamenti serioz që monitoron dhe pret ankesa.

“Fillohet nga vetë Policia e Shtetit që duhet të ndërtojë një departament serioz që monitoron dhe pret ankesa, edhe me iniciativën e saj ndërhyn për mbylljen e llogarive anonime apo llogarive të të miturve. Duhet të caktohet një moshë se kush mund ta përdore, gjë që po e bëjnë edhe vende të tjera. Gjithçka është e hapur dhe aktive, duhet të ndërhyhet. Kjo është një iniciativë e vonuar, para dy vitesh janë publikuar raste kur nga sfidat e “Tik Tok” janë vrarë dy fëmijë. U premtua për masa konkrete dhe asgjë nuk ka ndodhur. Ne kemi të pambrojtur fëmijët. Mendoni tani që të miturit nën moshën 18-vjeç të shantazhohen me materiale të ndryshme. Perimetri i sigurisë është edhe perimetri virtual. Brenda shkollave tona dhe brenda celurarëve të fëmijë duhet të ketë kontroll”, ka thënë ndër të tjera ai.