Bota

VIDEO/ Misteri: Vrima të dyshimta, a u godit nga rusët, avioni që u rrëzua në Kazakistan?

Pamje të reja të aeroplanit të Azerbajxhanit që u rrëzua duke u marrë jetën 38 personave tregojnë vrima të dyshimta në trupin e tij, duke ngritur zëra se ai mund të jetë rrëzuar nga rusët. Avioni që u nis nga kryeqyteti i Azerbajxhanit, Baku për në qytetin rus të Grozny u rrëzua me 67 pasagjerë dhe 5 anëtarë të ekuipazhit pranë Aktau në Kazakistanin perëndimor, mëngjesin e sotëm. 29 pjesëtarë në bord shpëtuan, por 7 janë në gjendje të rëndë.

Sipas kursit që jep “Fly Radar 24”, avioni po fluturonte mbi republikën e Dagestanit përgjatë bregut të Detit Kaspik, pas së cilës u zhduk nga gjurmimi, duke sugjeruar se u ekspozua ndaj sistemeve të mbrojtjes ajrore ruse. Më pas ai u shfaq rreth 1 orë më vonë duke fluturuar ulët mbi ujë pranë Kazakistanit perëndimor përpara se të rrëzohej.

Përpara përplasjes, ekuipazhi raportoi një shpërthim të fortë në pjesën e parë. Ata supozuan se avioni goditi një tufë zogjsh, por më vonë u raportua se ishte shpërthimi i një rezervuari oksigjeni që furnizonte kabinën në rast të uljes së presionit. Ky presion u tha se shkaktoi dëme të konsiderueshme në byk dhe copëtimin e avionit.

Por pamjet e reja që tregojnë vrima të hapura në anë të rrënojave kanë ngritur dyshime nëse ishin vërtet zogjtë apo shpërthimi i rezervuarit të oksigjenit që çuan në rrëzimin e avionit. Ka sugjerime se mbrojtja ajrore ruse mund të ketë shkaktuar rrëzimin pasi “kjo nuk duket si e bërë nga zogjtë”.

Gazetari i “Wall Street Journal”, Yaroslav Trofimov thotë se spekulimet e mediave ruse flasin për një ngatërrim që mbrojtja ajrore e këtij vendi i bëri avionit të pasagjerëve me një dron ukrainas. Avioni Embraer 190, që i përkiste Azerbajxhani Airlines, po tentonte të ulej në aeroportin rus Grozny, kryeqyteti i rajonit të Çeçenisë, i cili në atë kohë ishte nën një sulm nga dronët ukrainas. Avionit iu ndalua ulja dhe arsyeja zyrtare ishte mjegulla.

Dihet se Çeçenia dhe tre zona kufitare ishin nën sulm, dhe se një qendër tregtare u godit nga një dron në Vladikavkaz, kryeqyteti i rajonit rus të Osetisë së Veriut.

Raportohet gjithashtu nga zyrtarët e sigurisë se mbrojtja ajrore çeçene hapi zjarr ndaj dronëve, duke goditur dhe shpërthyer të paktën njërin.

Tashmë janë ngritur pyetje nëse edhe avioni u dëmtua nga të shtënat anti-dronë nga toka teksa ai kërkonte të ulej në Grozny.

Autoritetet në Kazakistan thanë se kishin filluar të verifikonin versione të ndryshme të mundshme të asaj që kishte ndodhur, duke përfshirë edhe një problem teknik, njoftoi agjencia ruse e lajmeve Interfax.