Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni, e ka nisur në mënyrë pozitive sezonin e ri në Major League Soccer, duke gjetur menjëherë rrugën e rrjetës në javën hapëse të kampionatit amerikan.
Futbollisti shqiptar ishte titullar në përballjen që Austin FC zhvilloi ndaj Minnesota United, duke qenë aktiv gjatë gjithë takimit dhe duke marrë pjesë në disa aksione të rrezikshme të skuadrës teksane.
Momentin vendimtar Uzuni e shënoi në minutën e 76-të, kur dërgoi topin në rrjetë dhe kaloi përkohësisht Austin-in në avantazh 2-1.
Megjithatë, skuadra vendase nuk arriti ta ruajë epërsinë deri në fund, pasi Minnesota barazoi në minutat e fundit, me ndeshjen që u mbyll në barazim dhe ekipet ndanë nga një pikë.
Ky është sezoni i dytë i Uzunit në futbollin amerikan, ku duket se sulmuesi shqiptar është përshtatur mirë me ritmin e kampionatit, duke e nisur edicionin e ri ashtu siç pritet nga një lojtar ofensiv me peshë në skuadër.