Kronikë

Vijon operacioni për gjetjen e 42-vjeçarit në ujërat e Osumit

Policia e Shtetit njoftoi sot se vijon operacioni intensiv për gjetjen e trupit të shtetasit I. K., 42 vjeç, i cili dyshohet se mund të jetë hedhur në Kanionet e lumit Osum.

Gjatë kërkimeve, një vullnetar, shtetasi Xh. K., 22 vjeç, i angazhuar në ndihmë të autoriteteve, mbeti i bllokuar pasi gomonia me të cilën po lëvizte u përmbys rreth orës 17:00 të datës 21 shkurt 2026.

Operacioni i shpëtimit u organizua menjëherë dhe u koordinua nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat, në bashkëpunim me forcat e RENEA, alpinistët e Federatës së Kërkim Shpëtimit Malor të Shqipërisë, Forcat e Ushtrisë, shërbimin e Urgjencës së Spitalit Skrapar, si dhe me mbështetjen e komunitetit të Çorovodës.

Pas disa orësh ndërhyrjeje në një terren shumë të vështirë, në orën 04:45 të mëngjesit të datës 22 shkurt, 22-vjeçari u nxor nga shkëmbi ku ishte izoluar dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Policia e Shtetit nënvizon se operacioni për kërkimin e 42-vjeçarit vazhdon ende në Kanionet e Osumit.