Elona Bregu, është 40-vjeçarja e cila ditën e sotme u ngjit në kullën e oksigjenit të ish-Uzinës në Kuçovë duke kërcënuar se do të hidhej pasi prej dy muajsh e gjysmë nuk paguhej nga kompania private e pastrimit “Viola Green”.
Bregu deklaroi se rroga e saj mujore është 380 mijë lekë të vjetra, por “Viola Green” nuk e ka paguar prej 2 muajsh dhe kur kërkoi rrogën bashkë me koleget, ato u pushuan në mënyrë të menjëhershme.
“Kam një vajzë të sëmurë, kam dy muaj e gjysmë pa rrogë. Pse duhet të më heqin nga puna vetëm pse kërkova pagën?”, u shpreh ajo pas negociatave që shmangën një tragjedi.
Ndërkohë që punonjëset mendojnë vetëflijimin si zgjidhjen e vetme të kësaj krize, duhet të kujtojmë se kompania “Viola Green” ka përfituar ndër vite kontrata publike me vlerë miliona euro për shërbimin e pastrimit në disa bashki të vendit.
Vetëm gjatë pesë viteve të fundit, në llogaritë e saj kanë kaluar rreth 9 milionë euro nga fondet publike.
Administratori dhe bashkëpronari i kompanisë, Marsel (Bujar) Shega, u arrestua në kuadër të operacionit të SPAK në nëntor 2024 kundër organizatës kriminale të dyshuar të Suel Çelës. Sipas hetimeve, Shega është konsideruar si një nga figurat kyçe financiare të grupit. Ai u arrestua në Milano dhe u ekstradua në Shqipëri në prill të vitit 2025, ku akuzohet për trafik narkotikësh dhe pastrim parash në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Shega ka qenë administrator dhe bashkëpronar i kompanive “Viola Green” dhe “Wonder Green”, të cilat kanë përfituar kontrata të shumta publike, veçanërisht në bashkitë e Qarkut të Elbasanit. Dy kompanitë janë nën verifikim edhe për dyshime mbi pastrim parash.
Megjithëse pas arrestimit të Shegës kompania nuk rezulton të ketë fituar tendera të rinj, ajo vijon të përfitojë fonde publike në zbatim të kontratave të nënshkruara më herët. Pagesat vijojnë nga disa bashki, përfshirë Elbasanin, Kuçovën, Peqinin, Rrogozhinën dhe Cërrikun./JOQ